Anija Libra e Marinës është nisur drejt Shqipërisë, raporton ANSA, për të dërguar grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.
Fillimisht është bërë një kontroll në bordin e anijes për refugjatët që do të transferohen drejt Shqipërisë, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kushtet që janë të ardhur nga vende të sigurta, si edhe janë meshkuj.
Javën e kaluar u vendosën në funksion qendrat në Shëngjin dhe Gjiader ku do të akomodohen emigrantët e kapur nga autoritetet italiane, sipas një marrëveshje të nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij, Giorgia Meloni.
Anija Libra u nis nga Lampedusa për në Shqipëri; fillimisht u ul në bregun sicilian pasi shpëtoi një grup emigrantësh që ishin larguar nga bregu i Afrikës së Veriut.
Sipas protokollit të nënshkruar nga Giorgia Meloni dhe Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh.
Nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali, ndryshe do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Një procedurë, krahasuar me ato të parashikuara deri më sot, u përshpejtua ndjeshëm.
Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat, intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
Gjithsesi i gjithë operacioni “Albania” shoqërohet me dyshime si ekonomike ashtu edhe juridike.
Dërgimi dhe mbajtja e emigrantëve në dy bazat Shëngjin dhe Gjader ka një kosto dukshëm më të lartë se zbarkimi i tyre në Itali, shkruan Corriere.
Një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vë gjithashtu në pikëpyetje listën e 22 vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”: për të marrë këtë status, asnjë kategori qytetarësh nuk duhet të jetë objektiv i diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Një kërkesë që pak nga 22 vendet e përmbushin. Dyshimi i fundit: deri më sot, shqyrtimi i kërkesave për azil ka zgjatur më shumë se katër javë. Me skadimin e këtij afati, emigrantët rrezikojnë të kthehen në Itali, pasi nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar.
Vendet që konsiderohen të sigurta janë: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.
BURIMI: Bota Sot