Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi nga foltorja e Kuvendit ka sqaruar situatën me vëllaun e tij pas akuzave të shumta nga ana e VMRO-DPMNE-së.
Grubi ka thënë se vëllau i tij për 20 vite punon biznes privat dhe me të nuk ka asnjë lidhje ose pikë të përbashkët.
Ai ka dhënë detaje edhe për dyqanin e apostrofuar nga opozita për të cilin thotë se është marrë me kredi, raporton indeks.mk
“Në lidhje me vëllain, 20 vite punon biznes privat, me të cilin unë nuk kam asnjë pikë të përbashkët, zero dhe të të informoj se kontrata me një fqinj tëndin është bërë edhe ti e njeh, është pesë herë më i vogël se ai që po e shpif në media dhe është bërë nga person fizik përmes kredisë me hipotekë që paguhet për 20 vite”, deklaroi Grubi.
Ai ka shtuar se që skandali të jetë më i madhë, opozita, respektivisht VMRO-ja është duke e akuzuar Bashkimin Evropian dhe ambasadorin Geer për korrupsion.
“Në lidhje me Merita Mustafain, e akuzoni për korrupsion dhe ju lutem të dëgjoni mirë, për tender, po, për Byronë për Meteorologji, për tender që e ka publikuar z. Geer, ambasadori i Bashkimit Europian, e ka zbatuar Bashkimi Europian, delegacioni i Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, e ka zgjedhur ofertuesin, e ka blerë pajisjen dhe ia ka dhuruar shtetit përmes Ministrisë së Ekonomisë, Byrosë për Meteorologji. Ju sapo e fajësuar ambasadorin Geer se është më i korruptuari në shtet, se Bashkimi Europian është i korruptuar, dmth ky është skandali më i madh”, ka thënë Grubi.