“Kënaqësi që jemi sonte këtu në Tiranë bashkarisht në vigjilje të festës së madhe kombëtare të 28 Nëntori. As ky eveniment e as ndonjë eveniment tjetër nuk i bashkon më së shumti shqiptarët se sa Nëntori, Nëntori jonë i festave. E aq më tepër kur na bashkon Tirana e Erjonit. Më bëhet qejfi që një qytetar i Shkupit sot më shumë i njeh projektet e Tiranës se sa të Shkupit. Njohin Stadiumin, Qarkoren, Toptanin e gjitha projektet tjera. Kjo e bën bashkimin, kur një qytetar i Shkupit, ja si unë sonte e ndjen veten në Tiranë si në shtëpi të vet. Faleminderit Erion dhe të uroj për punët që i bën. Uroj ta bësh Tiranën shtëpi për të gjjthë ne, qoftë për ata që vijnë nga Prishtina, nga Shkupi,Tetova, Gostivari e nga gjitha qytetet tjera nga Kosova e Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi”, ka thënë Grubi në fjalimin e tij para të pranishmëve.
Sipas Grubit, mandatet vijnë e shkojnë, ndërsa punë e atyre që zgjidhen është të ndërtojnë rrugë, hekurudha, të afrojnë rininë përmes projekteve të përbashkëta.
“Jam vërtetë i lumtur që gjindem pranë jush dhe dua të lë një porosi për të gjithë ata që i prijnë institucioneve shtetërore, se mandatet vijnë e shkojnë sa hap e mbyll sytë, ajo që do ngelet prapa nesh janë veprat tona, ndaj punoni që me këto vepra t’i afrojmë shqiptarët, ashtu siç e do Nëntori, flamuri dhe çdo qytetar i joni. Ndërtoni rrugët, ndërtoni hekurudhat, bëni projekte të përbashkëta, afroni rininë dhe bëni që trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup vërtetë një”, ka theksuar mes tjerave në fjalimin e tij, Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë, z. Artan Grubi.