Grubi: Procesi i decentralizimit ngërthen idealet e barazisë, mirëkuptimit, tolerancës dhe kohezionit shoqëror

March 18, 2022
min lexim

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot ka marrë pjesë në konferencën “Forumi i Qeverisjes Lokale në Ballkanin Perendimorë” organizuar në Prishtinë nga ana e Institutit kosovar për Qeverisje lokale (KLGI), derisa pjesëmarës në këtë konferencë ishin edhe Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës z. Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Arben Ahmetaj, ministra dhe përfaqësues diplomatik.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë të Zëvendëskryeministrit të parë, Grubi:

Është kënaqësi të jem sot në mesin tuaj këtu në Prishtinë, për të trajtuar së bashku një temë të rëndësishme që determinon zhvillimin ekonomik të vendeve tona, segmentin e vetëqeverisjes lokale dhe dinamikën e zbatimit të reformave për decentralizimin e njësive të saj.

Për ne shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i procesit të decentralizimit të komunave, nuk është trajtuar thjesht vetëm si një proces i rëndomtë shoqëror ose institucional, por më tepër si një mision më i gjerë shoqëror, që në thelb ngërthen idealet e barazisë, mirëkuptimit, tolerancës dhe kohezionit shoqëror, ku përveç funksionalitetit të modelit të zgjedhur, kurorë e decentralizmit është mbi të gjitha jetësimi i të drejtave tona të natyrshme në vendin më me larmi etnike e kulturore.

Maqedonia e Veriut, në këtë rrugëtim të gjatë më shumë se tri dekada, ka kaluar nëpër modele të shtrirjes dhe tendencave të ndryshme të pushteteve, apo më saktë të raporteve midis pushtetit qendror dhe qeverisjes lokale.

Pozicionimi juridik në thelb i centralizuar para vitit 2001 krijonte pabarazi dhe diskriminim të komuniteteve, e kjo më së shumti është reflektuar te shqiptarët, si bashkësi e dytë në Maqedoni, duke mos u mundësuar që për zhvillimin e mjediseve të tyre të merrnin obligimet dhe përgjegjësitë vetë për shumë aspekte që lidhen me zhvillimin, arsimin, finansimin, realizimin e projekteve zhvillimore dhe shumë aspekteve tjera të jetës. Në këtë konstelacion, komunat më shumë i jepnin buxhetit, se sa merrnin prej tij për zhvillimin e tyre.

Mangësitë e atij modeli do të korrigjohen menjëherë pas luftës së vitit 2001 me nënshkrimin e Marrëveshjes të Ohrit, kur u krijuan kushte më të favorshme kushtetuese-juridike, ku pushtetit lokal do t’i kalojnë shumë kompetenca, për një pushtet më efikas dhe më funksional, por në anën tjetër, edhe për ta çuar në shkallë më të lartë edhe barazinë etnike.

Kjo Marrëveshje historike luajti rol kyç në transformimin e realitetit duke vendosur fokusin në zhvillimin e vetëqeverisjes lokale si thelbësor për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe në promovimin e vlerave dhe mbrojtjen e identitetit kulturor e gjuhësor.

Nga ky këndvështrim, Marrëveshja e Ohrit inicoi ndryshime të mëdha edhe ndarjen territoriale të komunave dhe qytetit të Shkupit, si njësi me status të veçantë, krijoi bazën juridike të rritjes së kompetencave të komunave dhe burimeve të financimit të tyre dhe përfundimisht duke u përkujdes për ndarjen transparente dhe të barabartë të atyre burimeve.

Duhet thënë se nënshkrimi i marrëveshjes Kornizë më 13 gusht të vitit 2001 dhe ndryshimet kushtetuese një vit më pas, dhe implementimi në praktikë nuk ka shkuar përherë në rrugë të lehtë. Duke qenë decentralizimi një pjesë e këtyre ndryshimeve, ai gjithashtu kaloi një rrugë të gjatë të implementimit. Në fillim janë miratuar katër ligje të rëndësishëm: Ligji për Vetëqeverisjen Lokale në vitin 2002, Ligji për Organizimin Territorial të Vetëqeverisjes Lokale, Ligji për Qytetin e Shkupit dhe Ligjit për Financimin e njësive të Vetëqeverisjes Lokale në vitin 2004, duke e rrumbullakësuar kështu një vetëqeverisje lokale çfarë e kemi sot.

Duhet shtuar këtu edhe tri ligje të tjera, të cilat, ndonëse nuk kanë qenë në mënyrë eksplicite pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, por gjithsesi në frymën e saj, i kanë konkretizuar shumë aspekte të funksionimit të pushtetit lokal sa më efikas: Ligji për bashkëpunim ndërkomunal i vitit 2009, Ligji për Zhvillim Rajonal të barabartë i vitit 2007 si dhe Ligji për Inspektoratin shtetëror për vetëqeverisje lokale i vitit 2010, të gjitha me ndryshime të mëtejshme.

Me krijimin e gjitha parakushteve kushtetuese-juridike, procesin e pavarësimit praktik të komunave, transferimin e kompetencave më të mëdha dhe decentralizimin e tyre fiskal në Maqedoninë e Veriut e kemi filluar zyrtarisht në vitin 2005.

Falë të gjitha këtyre ndryshimeve, në vitin 2004, numri i njësive të vetëqeverisjes lokale është zvogëluar nga 124 në 84, plus Qyteti i Shkupit, me një status të veçantë si kryeqytet, me qëllim të përmirësimit të kapacitetit financiar të njësive të vetëqeverisjes lokale.

Në vitin 2014 numri i njësive të vetëqeverisjes lokale është reduktuar edhe më tej kur katër komuna rurale, Zajasi, Osllomeji, Drugova, Vraneshtica u bënë pjesë e komunës së Kërçovës. Falë këtij bashkimi të komunave, Kërçova udhëhiqet nga kryetar shqiptar, miku im Fatmir Dehari. Numri aktual i njësive të vetëqeverisjes lokale është aktualisht 80, plus Qyteti i Shkupit.

Decentralizimi fiskal ka vazhduar në faza, duke u ofruar njësive të vetëqeverisjes lokale fonde për marrjen e kompetencave të tyre në varësi të kritereve të caktuara të specifikuara, rregullimin e buxhetit (2007) dhe procesin e huamarrjes (2009). Deri më tani, të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale kanë përparuar në fazën e dytë të decentralizimit fiskal, që është një nga shtyllat e decentralizimit, sepse, pushtet lokal efikas nuk mund të ketë pa pavarësi më të madhe në sferën fiskale.

Të njëjtin përkushtim, për të përforcuar edhe më tej pavarësimin e komunave të vendit në aspektin e realizimit të projekteve lokale dhe financimit të tyre po e vazhdojmë me implementimin e Programit për zhvillim lokal të qëndrueshëm dhe decentralizim 2021-2026.

Konform këtij programi të punës jemi fokusuar në përmirësimin e shërbimeve lokale që ofrojnë komunat veçanërisht në sferën e arsimit, mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, implementimin e kritereve bashkëkohore të planifikimin hapësinor, të ndërtimit dhe të mbrojtjes së ambientit jetësor.

Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të qeverisjes së decentralizuar, si një aspekt i një demokracie funksionale dhe si një faktor që kontribuon për kohezionin social.

Arritëm që të sjellim në binarët e duhur procesin e decentralizimit, a është mjaftueshëm i realizuar dhe a ka nevojë për avancim të mëtejshëm të të gjitha proceseve?! Padyshim se PO, sepse gjatë këtyre viteve mund të jenë shfaqur edhe dobësi të ndryshme në funksionimin e tij!

Sfida më serioze e vendit tonë mbetet padyshim thellimi i decentralizimit fiskal. Në këtë drejtim, kemi rritur bashkëpunimin me çdo komunë të vendit, zhvillojmë bisedime intenzive me Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale që të konkretizojmë kërkesat objektive të komunave, të përforcojmë kapacitetin e tyre që të jenë sa më afër interesave të qytetarëve.

Për këtë qëllim, kemi formuar edhe Grupin Ndërsektorial për avancimin e decentralizimit dhe zhvillimit rajonal ku në mënyre dinamike diskutojmë mbi ingerencat e reja që mund t’u kalohen komunave, gjithmonë duke pasur parasysh edhe implikimet financiare.

Ndonjëherë pushteti qendror e ka parë të udhës që ta ndihmojë pushtetin lokal në vitet e trasimit të rrugës së një pavarësie më të madhe. Kështu, për të lehtësuar funksionimin e komunave, Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi edhe Ligjin për shlyerjen e borxheve të ndërmarrjeve publike të themeluara nga komunat për periudhën deri në vitin 2017.

Përveç gjithë këtyre mekanizmave të implementuara, një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e komunave tona, është edhe ndërtimi i raporteve të mira me komunat e rajonit dhe botës. Binjakëzimi mes tyre sjell një dimension të ri zhvillimi, përballje më efikase me sfidat e përbashkëta të menaxhimit, krijon mundësi të reja investimi në çdo sferë të jetës shoqërore.

Në fund, më lejoni të theksoj se modeli i ndarjes së pushteteve në Maqedoni, është konform realitetit të saj etnik e shoqëror dhe në këtë kontekst të këmbimit të përvojave midis vendeve tona, gjithsesi theksi duhet vënë në specifikat e secilit vend. Sprova e deritashme e vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut, ka treguar shumë përparësi në krahasim me modelin e mëparshëm që ishte më i centralizuar.

Ky pushtet lokal është më afër qytetarit, ofron shërbime dhe mundësi zhvillimore dhe çka është më me rëndësi për një shoqëri heterogjene, mundëson edhe kushte për barazi në një shkallë më të lartë në arsim dhe në përdorimin e gjuhëve edhe të bashkësive më të vogla etnike.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kina në “peshore”/ 5 arsyet pse telefonata Biden-Xi është kaq e rëndësishme

Story i radhës

Refugjatët nga Ukraina nuk do të paguajnë karton të gjelbër gjatë hyrjes në RMV

Të fundit nga

ShkoLartë