Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi me rastin e 21 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit ka uruar sot të gjithë qytetarët e vendit duke rikujtuar konstelacionet kohore që sollën deri në nënshkrimin e këtij akti juridik dhe rëndësinë e implementimit të tij për perspektivën e zhvillimit demokratik të vendit
Grubi ka cilësuar Marrëveshjen e Ohrit gurëthemel të të gjitha të arriturave demokratike të vendit dhe nismëtare të kapitullit të rrugëtimin europian të vendit, duke thënë se nga barazia e etabluar nuk ka humbur askush, por kanë përfituar të gjithë popujt në çdo aspekt të mirëqenies shoqërore.
Të dashur qytetarë,
21 vite më parë, me nënshkrimin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit në vend do të fillonte të largohej përfundimisht mjegulla e ideologjive të urrejtjes, supremacisë, diskriminimit, paragjykimeve shkatërruese të perspektivës së shëndoshë të së ardhmes që kishte kapluar vendin tonë.
Sot të gjithë bashkë dëshmojmë mbi revolucionin e transformimit progresiv që shkaktoi ky akt juridik në rregullimin e shtetit duke etabluar vlerat e domosdoshme të paqes, barazisë, demokracisë konsensuale dhe kohezionit social.
Thënë shkurt, Marrëveshja Paqësore e Ohrit është gurëthemeli i të gjitha të arriturave demokratike të vendit, përgjigja e duhur ndaj thirrjeve për barazi, nismëtare e kapitullit të rrugëtimit tonë europian, mburojë e përcaktimit tonë të paluhatshëm properëndimor.
Në këtë ditë të madhe për historinë e vendit, mjafton vetëm të reflektojmë mbi realitetin për të kuptuar impaktin e jashtëzakonshëm të këtij dokumenti që nuk lejoi fundosjen tonë në humnerën e stagnimit dhe shkatërrimit.
Askush nuk humbi nga barazia, përkundrazi njohëm më mirë vlerat e njëri – tjetrit dhe në bashkëjetesë arritëm që të integrohemi në NATO, të avancojmë dukshëm në rrugën e integrimit për në Bashkimin Europian duke filluar edhe procesin e negociatave.
Qofshin përjetë frymëzim përvjetoret e Marrëveshjes së Ohrit! Urime të gjithëve!