Ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin, pasi pa to Maqedonia është në regres, në status kuo dhe nuk mund të shkojë përpara dhe nga ky proces absolutisht fitues është populli maqedonas në RMV, deklaroi sot nënkryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi. Potencon se krahu proevropian në opozitë është në rritje në Kuvend dhe se do të japë mbështetje për ndryshimet kushtetuese dhe se tashmë ka kontakte dhe komunikimin me deputetët dhe kryetarët e partive politike, për, siç tha, mënyrën në të cilën ata do ta japin mbështetjen e tyre për Maqedoninë evropiane.
“Dua të sqaroj se ndryshimet kushtetuese jo vetëm që do të ndodhin, por është e patjetërsueshme të ndodhin. Pa ndryshimet kushtetuese Maqedonia është në regres. Pa ndryshimet kushtetuese, Maqedonia është në status kuo dhe nuk mund të ecë përpara, prandaj të gjithë ata që duan një Maqedoni evropiane, të gjithë ata që duan zhvillim, të gjithë ata që duan ta shohin vendin tonë krah për krah me anëtarët e BE-së do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese nga të cilat përfituesi më i madh është komuniteti maqedonas në Republikën e Maqedonisë së Veriut sepse më në fund është bërë ndarja e popullit maqedonas nga populli bullgar. Dhe kjo me pranimin e vetë popullit bullgar, i cili kishte pretendime të tjera. Siç e dini, deri dje. Përfituesi më i madh i këtij procesi është absolutisht në radhë të parë populli maqedonas në RMV dhe të gjithë qytetarët e vendit, sepse mendoj se e gjithë tapia e shtetësisë së RMV-së është duke u rrumbullakësuar”, tha Grubi, i cili sot ishte në Haraçinë.