Kombëtarja shqiptare e femrave ka përmbyllur këtë të shtunë grumbullimin 10-ditor në qytetin e Ulqinit në Malin e Zi. Trajneri Armir Grima kishte ftuar 23 lojtare, pjesë e kampionatit shqiptar dhe atij kosovar, teksa ranë në sy edhe elementet e reja në skuadër, që patën mundësinë t’i tregonin aftësitë dhe cilësitë e tyre stafit kuqezi.
Në këtë grumbullim, që ishte i pari për këtë vit, vajzat kuqezi patën mundësi të zhvillonin dy ndeshje kontrolli, ku tekniku Grima pa nga afër edhe gjendjen fizike të futbollisteve si dhe zhvilluan disa seanca stërvitore, në mënyrë që të jenë gati për ndeshjet e muajit prill, në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.
Në një prononcim të shkurtër për fshf.org, vetë trajneri shqiptar u shpreh i kënaqur nga ky grumbullim 10-ditor si dhe nga paraqitja dhe impenjimi i lojtareve të thirrura, duke theksuar se ky grumbullim është mjaft i vlefshëm për të rritur gjendjen e skuadrës. Grima falënderoi edhe FSHF-në për mbështetjen që i jep skuadrës së femrave, teksa theksoi se objektivi i këtij grumbullimi është arritur.
“Ky grumbullim besoj se do na shërbejë shumë, për të parë dhe për të rritur gjendjen fizike të vajzave, në kuadër të ndeshjeve të Botërorit, ndaj Belgjikës e Armenisë.
Vajzat kanë punuar mirë, me ngarkesën e duhur dhe normalisht do t’i shërbejë vajzave edhe për periudhën që janë në kampionat me ekipet e tyre. Atë që kishim ne si objektiv e realizuam dhe mendoj që është bërë një punë e mirë. Dua të falënderoj këtu edhe Federatën, për mbështetjen dhe kushtet që na krijon gjithmonë” – u shpreh Grima, teksa vlerëson edhe futbollistet e reja në skuadër.
“Vëzhguam mjaft vajza të reja, që janë edhe pjesë e ekipit Kombëtar U-19, por edhe vajza të tjera që kishim marrë për të parë. Mbetëm shumë të kënaqur nga paraqitja e tyre, por siç u thashë edhe vajzave kanë një punë të madhe përpara për të bërë, për të rritur nivelin e tyre dhe për të konkurruar denjësisht me vajzat e tjera për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar- përfundoi prononcimin e tij Grima për fshf.org.