Nxënësit kosovarë ende nuk e kanë filluar mësimin përkundër se sipas kalendarit të Ministrisë së Arsimit do të duhej që procesi i rregullt të niste më 1 shtator. Prej dy javësh Bashkimi i Pavarus i Sindikatave të Kosovës ka shpallur grevën, pjesë e së cilës është edhe SBASHK-u, sindikatë kjo që përfaqëson mësimdhënësit.
KosovaPress ka qëndruar në gjimnazin “Sami Frashëri” si dhe në atë “Ahmet Gashi” ku mësimi nuk po zhvillohej. Në të dy këto shkolla të mesme u tha se mësimdhënësit po qëndrojnë në shkollë nga ora 09:00 deri në 12:00 por nuk po mbajnë mësim.
Arsimtarja e lëndës së biologjisë në gjimnazin “Sami Frashri”, Florie Sejdiu, u shpreh e revoltuar dhe e shqetësuar për vazhdimin e grevës. Sipas saj, ata vazhdojnë ta respektojnë vendimin për grevë pa dëshirën e tyre.
Sejdiu: Qëndrimi në vendin e punës po bëhet pa dëshirën tonë
“Grevën e respektojnë të gjithë mësimdhënësit në orar të rregullt prej orës 09:00-12:00, është një periudhë ku ne qëndrojmë në vendet e punës po ky qëndrim po bëhet pa dëshirën tonë sepse është nuk ndihemi mirë në këtë formë”, tha ajo.
Sejdiu për KosovaPress ka mohuar se kanë pasur presion nga prindërit për të filluar mësimin.
Sejdiu: Nuk kemi kontakt për momentin me prind nuk kemi presion
“Drejtpërdrejtë ne si mësimdhënës nuk kemi presion nga prindërit, nuk kemi kontakt me prindërit, ndoshta drejtoria e shkollës dhe instanca e tjera jo po me mësimdhënës nuk kemi kontakt për momentin me prind nuk kemi presion”, theksoi ajo.
Sejdiu u shpreh se përveç nxënësve, me grevën po dëmtohen e dhe vet mësimdhënësit.
Sejdiu: Zëvendësimi i orëve edhe nëse bëhet nuk ka efekt tek nxënësit
“Të dëmtuarit në këtë rast janë fëmijët, janë nxënësit, por edhe ne po dëmtohemi sepse ne qëndrojmë në vendin e punës por nuk punojmë dhe kjo punë duhet bërë brenda vitit prandaj jemi të dëmtuar edhe ne një farë formë sepse për zëvendësimin e këtyre orëve edhe nëse kishin pasur vullnetin për me zëvendësuar efekti tek nxënësit nuk arrihet nuk ka efekt”, tha ajo.
Zëvendësdrejtori i gjimnazit shoqëror “Ahmet Gashi”, Haki Dili tregoi që greva është duke shkuar mirë dhe të gjithë profesorët evidentohen nga kryetari i sindikatës së shkollës.
Ai tha se presione nga prindërit për fillim të mësimit nuk ka, por pohoi që greva sjell dëme të mëdha dhe kërkoi të bëhet zgjedhje sa më parë.
Haki Dili: duhet të kenë parasysh qeveria kërkesat dhe sindikata për zgjidhje
“Greva është duke shkuar mirë, arsimtarët e respektojnë orarin e grevës nga ora 09:00-12:00 të gjithë janë prezent, kryetari i sindikatës së shkollës ka lista të cilat i evidentojnë arsimtarët pjesëmarrës. Nuk ka presion nga prindërit deri tani. Normal që greva sjell dëme mirëpo duhet me pas parasysh qeveria kërkesat por edhe sindikata që të bëhet një zgjidhje sa më e shpejtë” tha ai.
Musa Aliu, që ka nipin e tij në parashkollor, tregoi që është në mbrojte të mësimdhënësve për arsye që e konsideron të drejtë legjitime kërkesat e mësimdhënësve.
Ai akuzoi qeverinë për arrogancë.
Musa Aliu: Nuk ka qeveri më arrogante
“Greva është e drejtë legjitime, nxënësit dëmtohen shumë, qeveria arrogante nuk kupton patjetër duhet të plotësohen kërkesat e mësimdhënësve pa varësisht krizës që është. Nuk ka qeveri më arrogante, arroganca ka pruar këtë vend kështu, gjithmonë ka pasur vrasje dëme të mëdha nga kjo qeveri”, tha Aliu.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.