Greta Thunberg është gjobitur për mos-bindje ndaj urdhrit të policisë në një protestë klimatike në portin suedez të Malmos muajin e kaluar, transmeton Anadolu.
Aktivistja klimatike e mohoi akuzën duke deklaruar se ajo ka vepruar nga nevoja.
“Veprimet e mia janë të justifikueshme”, tha 20-vjeçarja gjatë një seancë të shkurtër gjyqësore.
Megjithatë, raportojnë mediat lokale, Gjykata e Malmos e shpalli fajtore atë dhe e gjobiti me 2.500 krona suedeze (240 dollarë).
“Është e saktë që kam qenë në atë vend atë ditë dhe është e saktë që kam marrë një urdhër që nuk e kam dëgjuar, por dua ta mohoj krimin”, tha Thunberg e pyetur nga mediat lidhur me akuzën ndaj saj.
Akuza kundër Thunberg mund të çojë në një dënim me gjashtë muaj burg, megjithatë zakonisht rezulton me gjobë.
Aktivistja ishte pjesë e një mitingu të organizuar nga grupi mjekësor ‘Ta tillbaka framtiden’ që ndaloi trafikun në terminalin e naftës të portit në Malmo më 19 qershor.
“Ne zgjedhim të mos jemi kalimtarë dhe në vend të kësaj ndalojmë fizikisht infrastrukturën e karburanteve fosile”, tha Thunberg në postimin saj muajin e kaluar në rrjetet sociale.
Që nga viti 2018, Thunberg ka frymëzuar një lëvizje globale rinore që kërkon përpjekje më të forta për të luftuar ndryshimet klimatike pas organizimit të protestave javore jashtë Parlamentit të Suedisë.