Më 20 gusht, pas 12 vitesh, përfundoi mbikëqyrja e Greqisë nga institucionet evropiane. Në fund të qershorit, Komisioni Evropian vendosi se nuk justifikohet më kontrolli i rreptë i vendosur ndaj Athinës që nga viti 2010, pasi qeveria greke ia ktheu Fondit Monetar Ndërkombëtar në prill këstin e fundit të kredisë prej 1.58 miliardë dollarësh.
“Pas 12 vitesh po mbyllet një kapitull i vështirë për vendin tonë. Greqia i kthehet normalitetit evropian dhe nuk do të jetë më një përjashtim në eurozonë”– shpreh Ministri grek i Financave Kristos Staikuras. Por pavarësisht garancive që jep kryeministri i krahut të djathtë Kiriakos Micotaqis, grekët nuk besojnë tek një rikthim në normalitet.
Për më tepër ata nuk janë në gjendje të fshijnë nga kujtesa e tyre një dekadë, që për ta ishte sinonim i kolapsit, varfërimit, regresionit dhe poshtërimit. Do të duhen dekada që vendi ta marrë veten nga terapia e shokut që i është imponuar, dhe që i ka shkaktuar dëme kolosale.
Nga ana e tij Komisioni Evropian, e injoron problemin. Në një letër të nënshkruar nga zv/presidenti Valdis Dombrovskis, si dhe nga Komisioneri i Ekonomisë Paolo Xhentiloni, Brukseli thekson se qeveria greke e ka respektuar shumicën e angazhimeve të marra. Ky është elementi thelbësor për Evropën. Pas përfundimit të paketës së fundit tëshpëtimit në vitin 2018, gjithçka synoi të linte në harresë Greqinë. Por si grekët, ashtu edhe evropianët nuk e kanë harruar krizën greke.
Kjo ngjarje mbetet një plagë në ndërgjegjen e kontinentit, pasi është momenti në të cilin BE e ndryshuar natyrën e tij:nga një grup vendesh të grupuara me vullnet në lirë, është shndërruar në një asamble kreditorësh dhe debitorësh. Brukseli ka fituar një të drejtë të pakufizuar tëdetyrimit, duke imponuar rregullat dhe pikëpamjet e tij,në emër të mbrojtjes së monedhës së përbashkët dhe integritetit të eurozonës.
Ky precedent ka mbetur në mendjen e të gjithëve. Gjatë vizitës së saj të fundit në Athinë, në tetorin e vitit 2021, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e konsideruar në Greqi si personi kryesor përgjegjës për menaxhimin e krizës greke, kërkoi disa fjalë falje.
Duke e pranuar se ai kishte qenë “momenti më i vështirë” i mandatit të saj, Merkel tha se ishte e vetëdijshme “për kufizimet dhe sfidat, të cilat u detyruan të përballonin grekët” gjatë viteve të masave financiare shtrënguese.Përpara saj, Fondi Monetar Ndërkombëtar, një anëtar i trojkës së famshme, që ishte ngarkuar me mbikëqyrjen e masave shtrënguese të vendosura ndaj Greqisë, kishte publikuar disa raporte mbi këtë çështje.
Përfundimet ishin të qarta:programet, të bazuara në modele të gabuara dhe të shtrembëruara, ishin një dështim për Greqinë. Në vend se ta rehabilitonin këtë vend, ato shërbyen mbi të gjitha për të shpëtuar nga falimentimi bankat gjermane dhe franceze, të cilat pas krijimit të euros në vitin 2000, e kishin zgjeruar aktivitetin jashtë vendit.
Madje, raportet theksojnë se FMN-ja nuk duhet të kishte marrë kurrsesi pjesë në atë manovër.Banka Qendrore Evropiane (BQE), një tjetër anëtare e trojkës, nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë përvojë, duke u kufizuar vetëm me deklaratën se nuk do të vepronte njëlloj nëse do tëndeshej me të njëjtin problem.
Ndërkaq Komisioni Evropian nuk nxori asnjë mësim nga kjo krizë, madje as për funksionimin e errët dhe jodemokratik të Eurogrupit, të denoncuar ashpër nga ish-Ministri grek i Financave, Janis Varufakis. Për Komisionin, Greqia është një histori e vjetër.
PBB-ja e Greqisë, që në vitin 2008 ishte 355.9 miliardë dollarë, në vitin 2021 ra në 216.2 miliardë, pra 39 për qind. Një trajektore kjo e paparë në një vend që i përket një zone ekonomike të zhvilluar. Në vend se të ulet, borxhi publik është rritur. Në vitin 2012 ishte 110 për qind e PBB-së, sot i kalon 200 për qind.
Por ajo që ishte dikur një problem për Evropën nuk duket më sot shqetësuese, pasi shteti gjeneron mjaftueshëm suficit buxhetor për të shlyer kreditorët. Por ky proces pati një kosto të madhe:shkatërrimin e plotë të shtetit social grek. Shërbimet publike, duke filluar nga spitalet, shkollat dhe universitetet, janë çmontuar.
E drejta e punës është anuluar, ashtu si të gjitha mbrojtjet sociale. Më shumë se 15 reformakanë sjellë një ulje prej më shumë se 30 për qind të pensioneve të grekëve. Gjithçka që mund të privatizohej është privatizuar, pavarësisht nga pasojat. Me shumë vonesë Komisioni Evropian shpreh keqardhjen që e nënvlerësoi strategjinë kineze të zgjerimit dhe lejoi marrjen me konsension prej tyre të portit të Pireut.
Ndërkohë, priten ende reforma në tatime. Në Greqi, pronarët e mëdhenj, nga ata të pronarëve të anijeve deri tekato të Kishës Ortodokse (pronar i një numri të pafund tokash), mbeten ndër shmangësit kryesorë të taksave. Por kjo çështje nuk duket të jetë pjesë e prioriteteve evropiane.
Natyrisht, papunësia ka rënë – në vitin 2016 kishte arritur në 27 për qind, ndërsa sot nuk i kalon 12.5 për qind – por me koston e një punësimi të pasigurt, dhe mbi të gjitha të një eksodi masiv të popullsisë. Të demoralizuar dhe pa të ardhme, 500 mijë të rinj, kryesisht me arsim të larta, kanë ikur nga vendi gjatë dekadës së fundit.
Greqia është tani vendi i eurozonës me përqindjen më të lartë të njerëzve mbi 65 vjeç (22 përqind). Sipas modeleve të propozuara, Athina duhet të kishte rifituar rritjen ekonomike dhe të kishte rikuperuar terren duke filluar nga viti 2019, por kriza e ekonomisë botërore e shkaktuar nga Covid-19 i ka prishur parashikimet.
Në mungesë të të ardhurave nga turizmi, ekonomia greke ra sërish në kolaps. Në fund të vitit 2012, FMN parashikonte rritje prej rreth 6 për qind, ndërsa Komisioni Evropian parashikonte një rritje 3-4 për qind për vitet2022-2023. Lufta në Ukrainë, me rritjen e çmimeve të energjisë, i ka prishur sërish planet.
Në qershor, inflacioni arriti në 12.1 për qind, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit 1993.Familjet greke nuk janë më në gjendje të mbijetojnë, pasi pagat janë shumë të ulëta. Jeta e përditshme po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Pushimet janë tashmë një luks i paarritshëm. Në fillim të këtij viti, qeveria miratoi një program ndihme prej 6.5 miliardë dollarësh, që rezultoi i pamjaftueshëm.
Në fillim të majit, Athina miratoi një rritje të pagës minimale prej 50 euro, duke e çuar atë në 713 euro në muaj. Por sindikatat kërkojnë që paga minimale të arrijë të paktën 825 euro në muaj. Edhe në atë nivel, do të ishte më i ulëtsesa ai i vitit 2008. Sipas disa ekonomistëve, Greqia është mbërthyer në një kurth varfërie, me punë të pakualifikuara, të pasigurta dhe të keq–paguara.
Kriza e borxhit e ka përforcuar më tej këtë prirje. Të inkurajuar nga ekspertët e KomisionitEvropian, qeveritë greke kanë bërë gjithçka për ta përshpejtuar zhvillimin e turizmit, burimi më i thjeshtë dhe më i shpejtë të të ardhurave. Sektori është më shumë se kurrë motori kryesor i ekonomisë. Me ardhjen e evropianëve dhe amerikanëve në verë, qeveria pret një vit rekord, shumë më tepër sesa 13 miliardë eurot e vitit të kaluar.
Por këto para nuk ri–investohen në pjesën tjetër të ekonomisë. Tashmë e industrializuar dobët që përpara krizës së borxhit, Greqia ka mbetur mbrapa. Norma e investimeve është një nga më të ulëtat në Evropë, dhe ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të eurozonës, ajo ka mbetur e pandryshuar gjatë dekadës së fundit.
Sistemi bankar është ende i rënduar nga mospagesat dhe kreditë e papaguara. Problemi është në thelb i njëjti si 10 vite më parë:vëllimi i kredive të këqija nuk është ulur, dhe mbetet rreth 30 për qind. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që përbëjnë strukturën ekonomike të vendit, konsiderohen në falimentim ose gjysmë falimentim.
Paaftësia e bankave greke për të garantuar financimin e ekonomisë, rrezikon të ketë pasoja të rënda për zhvillimin e vendit, veçanërisht pasi qeveria nuk mund t’i mbështesë ato edhe sikur të donte. Si pjesë e programeve mbështetëse për shkak të krizës së Covid, Greqia është bërë një nga përfituesit më të mëdhenj të parave evropiane.
Athina do të marrë 17.8 miliardë fonde garancie dhe 12 miliardë kredi. Për më tepër, vendi është një nga destinacionet kryesore për projektet klimatike dhe ato për zhvillimin eekonomisë dixhitale. Kryeministri grek shpalli me bujë në mesin e vitit 2021 nisjen e programit “ Greqia 2.0 ”. Falë fondeve evropiane, vendi do tëndryshonte modelin e tij dhe hynte me vendosmëri në ekonominë e së ardhmes.
Por lufta në Ukrainë, inflacioni dhe tensionet sociale, e kanë detyruar qeverinë të zvogëlojë ambiciet e saj. Athina nuk flet më për ndryshimin e modelit, por përkundrazi duket se përpiqet të ri–propozojë të njëjtat praktika të së shkuarës: metodat e shpërndarjes së ndihmës dhe financimit të garantuara nga Evropa që favorizojnë vetëm kompanitë e mëdha (madje edhe ato të huaja) të cilat përfaqësojnë vetëm një pjesë e vogël të ekonomisë.
Të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duken të përjashtuara nga mekanizmi. Përballë këtyre zhvillimeve, Komisioni Evropian, që është përgjegjës për monitorimin e mbarëvajtjes së programeve të tij, nuk ka reaguar. Por ky tashmë duket një zakon kur bëhet fjalë për Greqinë, pavarësisht nga konteksti.
Brukseli nuk ka asgjë për të thënë për keqtrajtimin e refugjatëve që zbarkojnë në bregdetin grek, dhe nuk i intereson aspak spiunazhi i kryer nga shërbimet e sigurisë së brendshme ndaj deputetëve dhe eurodeputetëve të opozitës. E njëjta heshtje shoqëron të gjitha masat e marra nga një qeveri tejet e djathtë që sulmon lirinë e universiteteve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e informacionit.
Kur bëhet fjalë për lirinë e shtypit, Greqia është sot në fund të grupit të vendeve demokratike. Kjo krizë demokratike që shoqëroi traumën e masave shtrënguese, duket se e lë Evropën indiferente. Zyrtarisht Greqia është ende pjesë e eurozonës, dhe është ruajtur integriteti i BE dhe i monedhës së saj. Por përveç monedhës, duket sikur Athina ka dalë nga BE. / Mediapart