Futbollisti Stavro Pilo ishte një nga afrimet e reja në Kombëtare, duke forcuar në këtë mënyrë edhe më shumë krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku aktivizohet Mario Mitaj dhe deri më tani, alternativë ishte Naser Aliji.
Mbrojtësi nga Finiqi, është një nga lojtarët më të spikatur në kampionatin grek, aty ku aktivizohet me AEK-un e Athinës së bashku me Thomas Strakoshën.
Vendimi i Pilos për të luajtur me fanellën e Shqipërisë, ka ndarë në dy pjesë opinionin sportiv në vendin fqinj, ku të shumtë kanë qenë ata që e kanë mbështetur por njëkohësisht ka pasur edhe shumë të tjerë që kanë qenë kundër këtij vendimi.
Zgjedhja e Shqipërisë, ka kthyer në Greqi hije nga e shkuara duke qenë se deri më tani, janë të shumtë lojtarët që kanë lindur dhe janë rritur në vendin helen e më pas kanë vendosur të luajnë për kuqezinjtë.
Thomas Strakosha është padyshim një nga afrimet më të mëdha të Shqipërisë. Portieri i AEK-ut u zhvillua në Greqi si lojtar, por sot mban veshur fanellën kuqezi duke qenë titullar me skuadrën tonë.
Mario Mitaj është një tjetër lojtar që ka vendosur të luajë për Shqipërinë, edhe pse është rritur si lojtar në Greqi dhe ka lindur atje.
Të tjerë lojtarë shqiptarë që kanë lindur në Greqi dhe kanë zgjedhur Shqipërinë, janë edhe Enea Mihaj i lindur në Rodos, apo edhe Stivian Janku e Ardit Toli, të dy të lindur në Janinë por që aktualisht nuk janë pjesë e Shqipërisë.
Të dy futbollistët aktivizohen në kampionatin shqiptar, ku Janku mban veshur fanellën e Flamurtarit ndërsa Toli atë të Teutës.
Burimi: botasot.info


