Shqipëria është një vend me bukuri të mëdha, një vend që mund të shijosh detin, malin dhe me një kosto të përballueshme.
Për vite me radhë ka qenë një destinacion i preferuar për turistët e huaj, duke e renditur vendin tonë, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit, si destinacionin e dytë me performancën më të mirë në botë për shtatëmujorin e këtij viti, me 19% më shumë turistë se në 2019.
Gazeta më e madhe greke i ka bërë jehonë vendit tonë, për më tepër turizmit duke i dedikuar një artikull se pse duhet ta vizitojmë Shqipërinë.
Abcnews.al ju sjell artikullin e plotë nga “Kathimerini”
Brigje të mahnitshme, natyrë e pasur, vende malore, hotele mbresëlënëse, njerëz mikpritës, vizitorë nga e gjithë bota dhe më e rëndësishmja, në një paketë të përballueshme, shkruan prestigjozja greke.
Shqipëria jonë fqinje është një destinacion relativisht “i panjohur” për turistin mesatar grek, por jo për pjesën tjetër të botës. Kjo mund të shihet nga rritja mbresëlënëse e turistëve në krahasim me vitin e kaluar (+29,3% në tetë muaj),edhe para pandemisë.
“Shqipëria është një zonë turistike në zhvillim. Nëse njerëzit e zbulojnë, nuk do të shkojnë më vendet tona”, tha Eutychis Sargetakis, i cili së bashku me gruan e tij vizituan Shqipërinë në fillim të gushtit dhe ndanë përvojën e tyre në YouTube.
Sipas atij, ai kërkonte të pushonte në destinacionet e njohura të detit Jon si Parga, Sivota dhe Kefalonia, por nuk gjeti asnjë dhomë për më pak se 100 euro nata. Më në fund vendosi të vizitonte Shqipërinë, ku pa rezervuar gjeti një hotel me katër yje në Sarandë 42 euro plus mëngjesin epërfshirë dhe një suitë në Tiranë 32 euro.
Gjithashtu edhe benzina ishte e lirë, rreth 1.60 euro për litër. Me 15 euro deri në 35 euro mund të konsumoje një vakk për dy persona shoqëruar një pije, ndërsa çmimi i kafesë varionte nga 0.35 deri në 2 euro.
Përtej bukurive të vendit tonë fqinj, Sargetakis veçon gjendjen e shkëlqyer të rrjetit rrugor dhe në përgjithësi projektet infrastrukturore që janë realizuar, mikpritjen e jashtëzakonshme të shqiptarëve dhe kuzhinën e tyre cilësore.
“Është një destinacion autentik, më i qetë në krahasim me Greqinë”, tha ai.
Sigurisht që “gabimet” e turizmit masiv kanë filluar të prekin edhe Shqipërinë.
“Në plazhe ka pasur edhe një “luftë për shezllonët”, ndërkohë që trafiku në rrugën bregdetare ka qenë mjaft intensiv dhe në kufijtë me Greqinë dhe me Malin e Zi janë krijuar radhë kilometrash”, shton Sargetakis.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), këtë vit në periudhën janar-gusht, Shqipërinë e kanë vizituar 347,452 grekë, pra 25,47% në krahasim me vitin e kaluar, raporton abcnews.al.
Vlerësohet se deri në fund të vitit numri i vizitorëve grekë do të jetë i njejtë me shifrat e vitit 2019, kur 596 844 grekë udhëtuan drejt Shqipërisë.
Të dhënat për turistët janë mbresëlënëse. Në total, mbi 5.6 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në tetë muajt e 2022 dhe kjo shifër nuk përfshin shqiptarët nga Kosova të cilat mesatarisht përfshijnë më shumë se 2 milionë çdo vit për të njëjtën periudhë.
Sipas një raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit (UNWTO), Shqipëria kishte performancën e dytë më të mirë në botë si destinacion për shtatë muajt e këtij viti (janar-korrik), me 19% më shumë turistë në krahasim me 2019, viti rekord për turizmin.
Rrjedhimisht, Shqipëria kishte performancën e katërt më të mirë për sa i përket të ardhurave, me 32% më shumë të ardhura nga turistët ndërkombëtarë në periudhën janar-korrik 2022 në krahasim me 2019.
Ka një interes të madh për turizmin malor
Por kush janë ata që udhëtojnë drejt Shqipërisë?
Në krahasim me vitin e kaluar, INSTAT regjistroi një rritje prej 225% të turistëve nga Spanja, 60% nga Gjermania, 50% nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar dhe 3.8% nga Holanda.
Dhe ekziston mundësia që në verë interesi i turistëve të përqendrohet në zonat e njohura bregdetare (Himarë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Borsh), por është interesant fakti se 41% e vizitorëve preferojnë veriun e Shqipërisë.
Sidomos gjatë dimrit, vendi ka një fluks turistësh, kryesisht nga Europa Qendrore për të shijuar liqenin e Shkodrës, të cilat ofrojnë shumë aktivitete për alpinistët dhe jo vetëm.
Shqipëria ka nisur përgatitjet për vitin e ardhshëm turistik, ndërkohë që në shumë zona të vendit, kapaciteti i hoteleve arrin në 100%, me rezervime deri në fund të tetorit.