Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të armëve me rreze të gjata veprimi për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Ajo në një konferencë për media tha se administrata e presidentit Joe Biden e ka bërë të qartë nga dita e parë se do t’i sigurojë Ukrainës vetëm armë për mbrojtje nga Rusia.
“Ne nuk po ofrojmë asnjë armë që do t’u mundësojë ukrainasve të sulmojnë Rusinë nga Ukraina. Presidenti Biden ishte gjithashtu shumë i qartë në atë rast, se ne nuk jemi dhe nuk do të bëhemi palë në luftë, por mbështesim përpjekjet e Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial,” tha diplomatja amerikane.
Këshilltari i presidentit të Ukrainës Alexei Arestovich më herët tha se një fitore ushtarake ndaj Rusisë nuk ka gjasa nëse Shtetet e Bashkuara pezullojnë dërgimin e artilerisë me rreze të gjatë në Kiev.