9
I shtrirë mes malit dhe detit, në një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar, Green Coast është një nga projektet më të rëndësishme turistike në vend. Me qëllimin që ky zhvillim të jetë në harmoni me bukuritë natyrore të zonës ku shtrihet dhe me vizionin për të sjellë një model të qëndrueshëm të turizmit, ky projekt vjen me një arkitekturë unike nga studio prestigjioze, Emre-Arolat Architecture, e vlerësuar me çmime të rëndësishme si “Mies van der Rohe”, çmimi “Aga Khan” për Arkitekturën, “Museum-Designs of the Year”, si dhe e nominuar këtë vit me projektin Green Coast në “World Architecture Festival”.
Në zhvillimin e mëtejshëm të tij, projekti Green Coast shkrihet mjaft natyrshëm me relievin shkëmbor të zonës. Çdo tipologji njësie është unike, me aplikime të ndryshme të materialeve në eksterier dhe lëvizjeve volumetrike, duke mos u përfaqësuar nga volume agresive, por që i përshtaten relievit të zonës. Pikërisht ky reliev ka qenë avantazhi, por njëkohësisht edhe sfida më e madhe e projektit, për të shkrirë në mënyrë sa më natyrale objektet e banimit dhe hapësirat e gjelbëruara. Trajtimi i këtyre hapësirave të gjelbëruara ka qenë synimi më i rëndësishëm i Green Coast, për të sjellë një zhvillim që nuk i imponohet natyrës, por përpiqet t’i shtojë vlerën dhe të bëhet pjesë integrale e saj.
Si një projekt “eco-friendly”, Green Coast i ka kushtuar rëndësi të veçantë mbrojtjes së burimeve natyrore dhe ka ndjekur një qasje krejtësisht novatore, duke grumbulluar “top-soil”-in, thënë ndryshe shtresën e sipërme të dheut, e cila mbart të gjitha farat e bimësisë endemike të zonës. Ky “top-soil” do të përdoret më pas përgjatë gjithë zhvillimit të ri, duke risjellë kështu bimësinë makize dhe duke e pasuruar atë vazhdimisht. Projekti Green Coast parashikon të ketë 70,000 m2 korridore dhe tarraca të gjelbëruara, të cilat do të kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme gjatë gjithë vitit.
Njësoj si me bimësinë, edhe gurët karakteristikë të zonës janë një aspekt i rëndësishëm i arkitekturës në projektin Green Coast. Krahas infrastrukturës së përgjithshme, këto gurë lokalë, bashkë me bimësinë makize, gjenden në të gjitha rrugët komunikuese që lidhin objektet me shëtitoren buzë detit, si dhe në shkallare të ndryshme të konceptuara për këmbësorët dhe të rrethuara me gjelbërim.
Përmes një arkitekture që respekton dhe i përgjigjet natyrës në mënyrë organike, ky projekt synon të sjellë zhvillimin dhe inovacionin që do ta rendisin Rivierën Shqiptare në listën e destinacioneve më të lakmuara për turizëm dhe investim, jo vetëm për shtetasit shqiptarë, por edhe për të gjithë turistët e huaj, që po preferojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë për të pushuar dhe investuar.
BURIMI: zhurnal.mk