Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta i ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ në News24 ka folur në lidhje me agresionin ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë protestës së opozitës më 6 Dhjetor, teksa ka thënë se ishte një veprim i strukturuar kriminal dhe shtetëror.
Sipas tij agresori i Berishës ka qenë shumë i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm pasi ka studiuar gjithë hapat e veprimit që ka kryer, ndërsa shtoi se ky provokim u bë për të nxjerrë opozitën si destruktive dhe për të acaruar protestuesit.
Meta shtoi se përgjigjja më e mirë ndaj agresionit të Berishës ka qenë vetëpërmbajtja në atë moment duke treguar qartë nivelin skizofrenik të drejtimit të qeverisë së sotme që është një kërcënim për të gjithë qytetarët dhe interesin kombëtar
Sa i përket aksionit opozitar në të ardhmen Meta deklaroi se vendi ndodhet përballë një regjimi mafioz, ndërsa bëri me dije se protestat do vijojnë në mënyrë të organizuar duke i kushtuar rëndësi edhe procesit zgjedhor dhe mbrojtjes së votës.
“Nuk do doja të flisja për atë moment pasi askush nuk është ndjerë aspak mirë, padyshim që edhe unë nuk kisha si të ndihesha mirë. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një veprim të strukturuar kriminal dhe shtetëror. Një person që ka qenë shumë i vetëdijshëm dhe i përgatitur për këtë akt, ai ka studiuar gjithë vendosjen dhe veprimin. Ajo që është e rëndësishme është që u ruajt kontrolli nga vetë Berisha për ta mbajtur këtë moment si një moment të izoluar dhe për të evituar që personi përgjegjës të mos kishte pasoja dhe për të mos ndikuar te qytetarët. Ky provokim u bë për të nxjerrë opozitën si destruktive dhe personin si një viktimë. Nuk është ky thelbi, thelbi është që ka pasur një makinë të tërë propagandistike për të justifikuar këtë akt dhe për ta paraqitur atë krejt ndryshe nga si ndodhi. Koha e fjalëve ka mbaruar, gjërat janë të qarta, jemi përballë një regjimi mafioz. Është i njëjti shtet që organizoi këtë agresion ndaj pluralizmit politik dhe opozitës, është e njëjta dorë që vrau Klodian Rashën, e njëjta që falsifikoi deklaratën e policisë duke i shtuar viktimës së policisë së rilindjes gjoja dhe një pistoletë. Do vijojmë rrugën e protestave, por ka shumë rëndësi që të jemi shumë të organizuar se sa kemi qenë deri tani në procesin e zgjedhjeve dhe aksionin opozitar dhe mbrojtjen e votës. Protesta ka pasur, ka dhe do të ketë.
Për sulmin ndaj Berishës përgjigjja më e mirë ka qenë vetëpërmbajtja në atë moment duke treguar qartë nivelin skizofrenik të drejtimit të qeverisë së sotme që është një kërcënim për të gjithë qytetarët dhe interesin kombëtar”, tha ai.