Gjyshi i gazetares në Ukrainë, që i mbijetoi luftës

min lexim

Që kur betejat e ashpra shkatërruan 85 për qind të Iziumit në mars, qyteti në rajonin e Kharkivut në Ukrainë është pushtuar nga forcat ruse dhe tani është një post kryesor komandues për ushtrinë ruse. Shumë nga banorët e saj u bllokuan pas kontrollit të zonës nga armiku dhe pak kanë arritur të shpëtojnë. Një prej tyre është gjyshi 88-vjeçar i gazetares së Zërit të Amerikës në Kiev, Anna Chernikova, e cila na sjell reportazhin në vazhdim.

Iziumi që ndodhet në udhëkryqin e rajoneve Kharkiv dhe Donetsk të Ukrainës ka një rëndësi strategjike për rusët në luftën e tyre për të kontrolluar Donbasin.

Për banorët e këtij qyteti me 45 mijë ukrainas është një ferr i gjallë nga i cili ikja është thuajse e pamundur.

Për mua qyteti është shumë i veçantë. Kam kaluar shumë kohë atje si fëmijë duke vizituar gjyshërit e mi gjatë pushimeve verore. Për 117 ditë, gjyshi im 88-vjeçar Petro Borodenko jetoi makthin e pushtimit, pa ilaçe kritike për zemrën, pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm“, thotë gazetarja Anna Chernikova.

Një pjesë e madhe e shtëpisë së tij u shkatërrua por ai jetoi në të njëjtin bodrum që stërgjyshërit e gazetares e përdorën si strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Tani, në siguri relative me familjen e tij në Kiev, 88-vjeçari është ende i tronditur dhe i rraskapitur, por i lumtur që është gjallë. Me ndihmën e vullnetarëve dhe ushtrisë ukrainase arritëm ta nxjerrim nga Iziumi.

Ai kaloi dy ditë të vështira emocionalisht dhe fizikisht në makina dhe autobusë pa ushqim, duke kaluar trupat ruse që u përpoqën ta bënin të shkonte në Rusi, duke e poshtëruar duke e quajtur plak dhe të dobët. Atij iu desh të kalonte një distancë të gjatë nëpër një digë që ishte goditur“, tregon gazetarja.

Kujtimet e shkatërrimit e ndjekin atë.

“Mbaj mend që raketat qëlluan dhe njëra prej tyre goditi garazhin tim… Shtëpia e fqinjit ishte në flakë. Një shtëpi përballë rrugës ishte gjithashtu në flakë. Dhe garazhi i fqinjit u shkatërrua. I pashë të gjitha. Ishte shumë e frikshme”, thotë 88-vjeçari.

Shumica e njerëzve kanë një jetë të qetë kur arrijnë moshën 88 vjeçare, por kjo moshë për zotiin Petro Borodenko solli një tjetër kthesë të fortë të cilën ai nuk do ta harrojë kurrë.

Avioni fluturoi sipër dhe ne dolëm me vrap nga shtëpia për në bodrum. Piloti ndriçoi zonën dhe mendova – tani ai do të hedhë bombën. Por ai kaloi pranë shtëpisë sime dhe hodhi bombën më vonë. Hodhi një bombë të madhe. Nuk e di nëse ishin pesë tonëshe apo sa. Ajo krijoi një krater të madh. Njëra shtëpi u zhduk pastaj edhe një tjetër. Kishte shumë shtëpi të rrënuara në rrugën tonë”, thotë zoti Petro Borodenko.

Në moshë të re, ai shërbeu në ushtrinë sovjetike.

Rusët janë bastardë. Ata shkatërruan gjithçka. Ata shkatërruan jetën e qytetit”, thotë zoti Petro Borodenko.

Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët në Ukrainë, por 88-vjeçari thotë se është i sigurt se e kanë bërë një gjë të tillë. Ai kujton një nga sulmet më të përgjakshme ruse me raketa në Izium.

Shumica e viktimave gjetën vdekjen kur bombat goditën vendstrehimin në një ndërtesë banimi. 260 njerëz vdiqën menjëherë. Ishte goditje e drejtpërdrejtë. Askush nuk mund të shpëtonte“, thotë zoti Petro Borodenko.

Hija e luftës ka dominuar jetën e tij. Ai ishte shtatë vjeç kur Bashkimi Sovjetik hyri në Luftën e Dytë Botërore dhe tani, në muzg të jetës, lufta e rrethoi edhe një herë.

Kjo çantë e vogël dhe një fotografi janë gjithçka që i ka mbetur. Thesaret kryesore që ruan në zemrën dhe kujtimet e tij.

“Jam fyer dhe lënduar që jeta më është thyer. Do të doja që të mos ketë luftë dhe të jetoj një jetë të lirë“, tregon 88-vjaçari.

Në Kiev, ai po rikuperohet ngadalë, duke kaluar kohë me familjen e tij.

Ai ende ëndërron paqen, të shkojë në shtëpi për t’u varrosur pranë gjyshes sime të ndjerë – gruas së tij dhe djalit të tij të vogël – xhaxhait tim të ndjerë, për të mos përjetuar më kurrë luftën./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Disa shenja shumë të qarta që tregojnë se lidhja jote nuk do të zgjasë

Story i radhës

Kodi i ri i mundëson Supremës që t’i prishë vendimet e Apelit dhe Gjykatave Themelore

Të fundit nga