Gjyqi penal ndaj ish-Presidentit Trump, nis përzgjedhja e anëtarëve rezervë të jurisë

April 19, 2024
min lexim

Një grup i tjetër personash do të merren në pyetje për t’u zgjedhur si anëtarë rezervë të jurisë në gjyqin penal që po mbahet në Nju Jork ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Që juria të kompletohet do të duhet të zgjidhen 12 anëtarë si dhe 6 rezervë, për çdo të papritur.

Zoti Trump akuzohet se ka falsifikuar të dhënat e biznesit, për të fshehur një marrëdhënie me një ish-aktore të filmave pornografikë, që nëse bëhej publike mund t’i dëmtonte atij potencialisht fushatën e zgjedhjeve të vitit 2016 sipas prokuroreve. Ata thone se zoti Trump i dha aktores 130 mijë dollarë me synimin për të blerë heshtjen e saj mbi këtë çështje.

Të enjten u zgjodh një juri prej 12 njujorkezësh, e tashmë vëmendja është kthyer tek anëtarët rezervë, të cilët duhet të zotohen të lënë mënjanë pikëpamjet personale të tyre dhe të gjykojnë në mënyrë të paanshme kandidatin republikan për president.

Procesi i zgjedhjes së jurisë ka treguar se mund të jetë i paparashikueshëm sikurse ishte rasti i largimit të dy anëtarëve të zgjedhur këtë të martë.

Një prej anëtareve u largua vetë duke shprehur shqetësimin se identiteti i saj ishte bërë publik si dhe hedhur dyshime mbi aftësinë e saj për të qenë e drejtë dhe e paanshme në vendim.

Anëtari tjetër u skualifikua, pasi prokurorët gjetën informacione që ngritën pikëpyetje mbi vërtetësinë e përgjigjeve që ai kishte dhënë për t’u zgjedhur.

Në aktpadinë që po gjykohet në Nju Jork përfshihen 34 akuza, shumica e të cilave për falsifikim të të dhënave të biznesit.

Prokuroret thone se para zgjedhjeve të vitit 2016, zoti Trump, në atë kohë kandidat për president, përmes kompanisë së tij, i dha avokatit të tij personal, Michal Cohen 130 mijë dollarë për të paguar ish-aktoren e njohur të filmave për të rritur, Stormy Daniels, që ajo të mos bënte publike një marrëdhënie që kishte patur me zotin Trump, vite të shkuara. Synimi, sipas prokurorisë ishte që njoftimi të mos bëhej publik, pasi mund ta dëmtonte atë gjatë fushatës elektorale. Prokurorët thonë se pagesa prej 130 mijë dollarësh që iu dha zonjës Daniels, u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë së zotit Trump, por ata thotë se nuk ishte i tillë, por një shpenzim personal. Vetë zoti Trump e ka mohuar vazhdimish të ketë patur një marrëdhënie me zonjën Daniels dhe e ka quajtur gjyqin ndaj tij politik dhe një sulm ndaj vendit.

Gjykatësi i çështjes ka sugjeruar që deklaratat hapëse të palëve të fillojnë që të hënën. Ish-presidenti do të qëndrojë në sallën e gjyqit në Manhatan për javë të tëra, duke e detyruar të luajë një rol të dyfishtë, atë të të pandehurit në një proces penal dhe të kandidatit, në sfondin e garës së fortë kundër Presidentit Joe Biden.

Gjykatësi Juan M. Merchan gjithashtu pritet të zhvillojë një seancë dëgjimore të premten për të shqyrtuar një kërkesë të prokurorëve për të trajtuar të çështje ligjore të mëparshme të zotit Trump nëse ai vendos të dëshmojë në gjyqin penal mbi falsifikimin e të dhënave të biznesit. Prokurorët kanë thënë se duan ta marrin në pyetje zotin Trump në lidhje me gjyqin më të fundit civil ndaj tij, ku ai u shpallur fajtor për mashtrim me pasurinë dhe u detyrua të paguajë një shumë prej 454 milionë dollarësh. Vetë zoti Trump e ka apeluar vendimin.

Zoti Trump thotë se nuk bëri asnjë shkelje dhe se është viktimë e një sistemi drejtësie të motivuar politikisht, që po kërkon të pengojë përpjekjet e tij për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë.

Ai ka bërë kritika në rrjetet sociale ndaj gjykatësit të çështjes, prokurorëve dhe dëshmitarëve të mundshëm, duke bërë që prokurorët të kërkojnë penalizimin e tij për shkelje të mundshme të një urdhri të mëparshëm të gjykatës që ndalon sulmet ndaj dëshmitarëve apo anëtarëve të gjykatës.

Të enjten zoti Trump tha para gazetarëve se duhej të ishte në fushatë dhe jo në gjykatë, duke shtuar se kjo gjë ka irrituar shumë vetë. Duke e cilësuar gjyqin si të padrejtë zoti Trump tha se “e gjithë bota po e sheh këtë skemë mashtrimi (ndaj tij) në Nju Jork”.

Anëtarët e zgjedhur të jurisë janë të profesioneve të ndryshme dhe janë zgjedhur mes dhjetra të tjerëve që janë skualifikuar.

Gjyqi i Nju Jorkut është i pari që shkon për gjykim ndër 4 çështjet penale që rëndojnë ndaj ish-Presidentit Trump dhe ndoshta mund të jetë i vetmi për të cilin mund të ketë një vendim, para zgjedhjeve të nëntorit.

Apelimet kanë shkaktuar vonesa në tre rastet e tjera, në dy prej të cilave zoti Trump akuzohet për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe në një tjetër për mbatje të paligjshme e të qëllimtë të dokumenteve sekrete./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Para 10 viteve në lloçin e Kosovës, sot flasin për të në Itali

Story i radhës

Policia kërkon ndihmë për identifikim të dy të dyshuarve për ‘shpërdorim të pasurisë së huaj’

Të fundit nga

Mickoski: Na duhet administratë e depolitizuar!

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron reforma në administratën publike, sipas tij ,vendit i nevojitet një administratë publike që do të jetë shembull efikasiteti, ku përveçse shërbimeve për qytetarët, do të jetë edhe partner në
ShkoLartë