Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar konstatoi të mërkurën se Skocia nuk mund të mbajë referendum të dytë për pavarësi, pa lejen e qeverisë britanike.
Ky vendim e kthen një hap prapa fushatën e qeverisë skoceze që synonte të largohej nga Mbretëria e Bashkuar.
Në vitin 2014, skocezët nuk pranuan t’i jepnin fund bashkimit më shumë se 300-vjeçar me Anglinë, duke votuar 55% kundër pavarësimit nga Mbretëria e Bashkuar në referendumin e mbajtur në atë kohë.
Mirëpo, aktivistët që kërkojnë pavarësimin besojnë se referendumi do të kishte rezultate të tjera nëse mbahet sërish tani, dy vjet pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, gjë që skocezët e kishin kundërshtuar.
Qeveria gjysmëautonome e Skocisë dëshironte të mbante referendum në tetor të vitit 2023 me pyetjen “A duhet të jetë Skocia vend i pavarur?”
Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, lidere e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) që mbështet lëvizjen për pavarësim, kishte bërë të ditur më herët këtë vit se referendumi planifikohej për 19 tetor, por se ai duhet të jetë i ligjshëm dhe të njihet ndërkombëtarisht.
Por, Gjykata supreme konstatoi se nuk është në fuqinë e parlamentit skocez “të bëj legjislacion për një referendum për pavarësinë skoceze”.
Qeveria konservatore e Mbretërisë së Bashkuar në Londër ka refuzuar ta pranojë një votim të tillë, duke thënë se përgjigja e kësaj pyetje ishte dhënë në një referendum të vitit 2014.
Anketat sugjerojnë se skocezët mbeten të ndarë në gjysmë lidhur me këtë çështje.
Sipas Aktit të Skocisë të vitit 1998, i cili krijoi parlamentin skocez dhe ia kaloi atij disa kompetenca nga parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar, të gjitha çështjet që lidhen me Unionin e Mbretërive të Skocisë dhe Anglisë i rezervohen parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar./REL