Gjykata Supreme ka shfuqizuar aktgjykimet për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona, dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim. Gjykata ka konstatuar mangësi serioze në arsyetimet e gjykatave më të ulëta, veçanërisht sa i përket lidhjes shkak-pasojë mes veprimeve të të akuzuarve dhe tragjedisë, si dhe vlerësimit të provave për shkaqet dhe përhapjen e zjarrit.
Vendimi është marrë më 22 tetor dhe është publikuar sot nga Gjykata Supreme. Me të janë pranuar kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, të paraqitura nga dy ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi.
Janë shfuqizuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Tetovës i 16 majit 2025 dhe ai i Gjykatës së Apelit në Gostivar i 26 nëntorit 2025. Me vendimin e shkallës së dytë, të dy ish-drejtorët ishin dënuar me nga tre vjet burg për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se gjykatat më të ulëta nuk kanë shpjeguar mjaftueshëm se në bazë të cilave prova kanë arritur në përfundimin se dy të akuzuarit kanë vepruar si bashkëkryerës. Gjithashtu, nuk është bërë e qartë se mbi cilat prova është konstatuar se ata bashkërisht nuk kanë siguruar pajisjet e nevojshme kundër zjarrit dhe rrjetin e hidrantëve.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjes nëse mungesa e pajisjeve kundër zjarrit ka shkaktuar shpërthimin e zjarrit apo ka ndikuar në përhapjen e tij dhe pasojat.
Gjykata Supreme vlerëson se gjykatat më të ulëta nuk e kanë përcaktuar mjaftueshëm lidhjen shkak-pasojë mes lëshimeve konkrete që u ngarkohen të akuzuarve dhe vdekjes së 14 personave.
Në vendim shqyrtohen edhe ekspertizat e ndryshme për shkaqet e zjarrit. Sipas njërës prej tyre, zjarri kishte shpërthyer si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik, të lidhur me kabllon e defibrilatorit që ishte përdorur gjatë reanimimit të një pacienti.
Ndërkaq, në ekspertizën gjermane thuhet se zjarri me shumë gjasë kishte shpërthyer pranë njërit prej shtretërve në dhomën e spitalit, por për shkak të shkallës së madhe të dëmtimit nuk ishte e mundur të përcaktohej shkaku i saktë. Në të theksohet gjithashtu se përhapja e shpejtë e zjarrit ishte ndihmuar nga përqendrimi i lartë i oksigjenit dhe materialet e ndezshme të përdorura në objekt.
Gjykata Supreme ka ngritur edhe çështjen se përse nuk ishte pranuar kërkesa e mbrojtjes që në seancën kryesore të dëgjohej eksperti gjerman, ndonëse ekspertiza e tij ishte paraqitur si dëshmi.
Në arsyetim përmenden edhe ekspertiza të tjera, të cilat kishin treguar për probleme të mundshme me instalimin elektrik, mungesë të barrierave kundër zjarrit mes dhomave dhe përdorim të materialeve ndërtimore që mundësonin përhapjen e shpejtë të flakëve. Gjykatat më të ulëta nuk kishin dhënë arsyetim të mjaftueshëm se përse këto prova nuk ishin vlerësuar në mënyrë përkatëse.
Gjykata Supreme ka përfunduar se Gjykata Themelore e Tetovës dhe Gjykata e Apelit në Gostivar nuk kanë dhënë përgjigje të argumentuara për çështjet thelbësore që lidhen me përcaktimin e përgjegjësisë penale.
Me vendimin e ri, lënda kthehet në Gjykatën Themelore të Tetovës, e cila do të duhet ta zhvillojë procesin nga fillimi, t’i shqyrtojë çështjet kontestuese dhe të marrë një vendim të ri në përputhje me udhëzimet e Gjykatës Supreme.
Ndërkohë, kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm e paraqitur nga Spitali Klinik i Tetovës është hedhur poshtë si e palejuar. Ndryshe nga kërkesat e dy ish-drejtorëve, kërkesa e këtij institucioni nuk i plotësonte kushtet ligjore për përdorimin e këtij mjeti të jashtëzakonshëm juridik.
Vendimi i Gjykatës Supreme nuk nënkupton shpalljen të pafajshëm të dy ish-drejtorëve, por shfuqizimin e vendimeve të mëparshme gjyqësore dhe kthimin e lëndës në rigjykim.
Burimi:TV21


