Altini, djali i ish-kreut të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i dha fund dje beqarisë. Por, i pranishëm në ditën më të veçantë të tij dhe familjes Krasniqi, nuk ishte Jakup Krasniqi, pasi prej kohësh po qëndron në paraburgim në Hagë, nën dyshimet për krime lufte.
Por, a pati ndonjë gjasë që Jakup Kraniqi të ishte fizikisht i pranishëm në dasmën e djalit të tij, Gjykata Speciale ia ka kthyer një përgjigje Gazetës Express.
Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, zyra për komunikim e Gjykatës Speciale tha se nuk ka parashtresa publike apo vendime që trajtojnë këtë çështje.
“Aktualisht, s’ka parashtresa publike apo vendime që trajtojnë këtë çështje. Nëse flasim përgjithësisht, kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara i lejon personat e paraburgosur t’i bëjnë kërkesa trupit gjykues kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të merrte vendim për çdo kërkesë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Gazetën Express.
Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa, ka bërë dje një postim prekës për mungesën e babait në dasmën e vëllait të saj, Altinit.
“Babi do të jesh pranë nesh, në lutjet tona, në vallëzimet tona dhe në çdo dolli që do të ngremë! Do të jesh pranë nesh në mëngjes kur të zgjohemi, si bajraktar për të marrë nusen e deri në mbrëmje vonë. Do të jesh pranë nesh në lotët që sigurisht do të na tradhtojnë dhe në të qeshurat tona!”, ka shkruar ajo ndër të tjera.
Ndërsa, ka thënë se dje në orën 16:00 do të jetë Jakup Kraniqi i pranishëm në dasmë përmes teknologjisë.