Biden kërkon një ndërprerje prej 6 javësh të luftimeve në Gazë
Presidenti Joe Biden tha të hënën se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një pauzë gjashtë-javore në luftimet midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë, si një hap drejt një armëpushimi më afatgjatë.
Zoti Biden dhe Mbreti Abdullah i Jordanisë folën për median pasi dy aleatët mbajtën bisedime në Shtëpinë e Bardhë që prekën një numër çështjesh, përfshirë një ofensivë të pritshme izraelite nga toka në Gazën jugore dhe rrezikun e një fatkeqësie humanitare mes civilëve palestinezë.
Presidenti Biden, i cili ka shfaqur pakënaqësi në rritje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me ofensivën në Gazë, tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët në rajon për një marrëveshje për ndaljen e luftimeve për të lejuar lirimin e pengjeve të Gazës dhe rrjedhën në rritje të ndihmës humanitare.
Marrëveshja do të parashikonte një pauzë në luftime prej të paktën gjashtë javësh, “gjatë të cilave mund të punohet për të ndërtuar diçka më të qëndrueshme,” tha zoti Biden.
Mbreti Abdullah ripërsëriti thirrjen për një armëpushim të gjerë.
“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të vazhdojë”, tha ai. “Kemi nevojë për një armëpushim të qëndrueshëm tani. Kjo luftë duhet të përfundojë.”
Presidenti Biden ka intensifikuar thirrjet që Izraeli të mos ndërmarrë një ofensivë tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pa një plan për të mbrojtur civilët palestinezë.
Zoti Biden foli me kryeministrin Netanyahu të dielën dhe Shtëpia e Bardhë tha se ai theksoi se “nuk duhet të ndërmerret një operacion ushtarak në Rafah pa një plan të besueshëm dhe të zbatueshëm për të garantuar sigurinë dhe mbështetjen për më shumë se një milion njerëz të strehuar atje”.
Ekipi i zotit Biden është përpjekur të negociojë një pauzë në luftime për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi që kur grupi militant palestinez që qeveris Gazën nisi një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz. Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi në Gazë thotë se më shumë se 28,000 njerëz janë vrarë në Gazë në ofensivën e Izraelit kundër luftëtarëve të Hamasit./VOA
Gjykata holandeze urdhëron qeverinë të ndalojë eksportet e pjesëve të avionëve F-35 në Izrael
Një gjykatë apeli në Holandë urdhëroi të hënën qeverinë të ndalojë eksportet e pjesëve të avionëve luftarakë F-35 në Izrael, pas një padie të ngritur nga grupet e të drejtave të njeriut që ngritën shqetësime për ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës.
“Është e pamohueshme se ekziston një rrezik i qartë që pjesët e eksportuara të avionëve F-35 të përdoren për shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha gjykata.
Izraeli ka mohuar kryerjen e krimeve të luftës në Gazë, ku nisi një operacion ushtarak kundër grupit militant Hamas pas sulmit terrorist të tyre në tetor që vrau 1200 njerëz në pjesën jugore të Izraelit, sipas të dhënave izraelite. Përgjigja ushtarake izraelite ka vrarë më shumë se 28,300 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gazë, të dhëna që nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura.
Gjykata holandeze tha se qeveria duhet të nisë së zbatojë vendimin brenda shtatë ditëve.
Vendimi mund të apelohet.
Holanda ka një depo të pjesëve për aeroplanët F-35, prodhim amerikan, që eksportohen në disa vende.
Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë ‘Associated Press’, ‘Agence France-Presse’ dhe ‘Reuters’.