Gjykata e Apelit në Shkup e pranoi ankesën e prokurorisë dhe për disa nga të dënuarit për tragjedinë në Laskarc, e cila ndodhi para gjashtë viteve, u rriti dënimet. Ndër ata që morën dënime më të larta është edhe pronari i “Durmo Tours”, autobusi i të cilit doli nga rruga, si dhe përgjegjësi për transportin në firmë. Shoferit iu konfirmua dënimi për tragjedinë në të cilën humbën jetën 16 persona dhe rreth 30 të tjerë u plagosën, informon TV TELMA
Durmish Beluli, pronari i “Durmo Tours”, nga Apeli i Shkupit u dënua me 10 vite burg, ndërsa fillimisht kishte marrë dënim prej 4 vitesh.
Përgjegjësi për transportin në “Durmo”, Remzi Miftari, gjithashtu mori dënim me 10 vite burg, ndërsa në shkallën e parë ishte dënuar me 6 vite. Shoferit Manoil Trifunovski iu konfirmua dënimi prej 14 vitesh burg, ku do t’i llogaritet edhe arresti shtëpiak.
Punonjësve të stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, dënimi u është rritur nga 5 në 7 vite burg. Kolegu i tyre, Jane Bovaroski, mbetet me dënimin e shkallës së parë prej 5 vitesh burg.
Të gjashtë të dënuarit janë dënuar gjithsej me 53 vite burg. Familjarët e viktimave dhe të plagosurve janë udhëzuar të kërkojnë dëmshpërblim nëpërmjet një procesi civil para Gjykatës Civile.
Aksidenti ndodhi më 13 shkurt, kur autobusi i “Durmo Tours” doli nga korsia e sipërme e autostradës Shkup-Tetovë, kaloi në korsinë e kundërt dhe u përmbys nga disa metra lartësi pranë hyrjes së fshatit Laskarcë.
Gjykimi filloi në gjysmën e dytë të vitit 2019, ndërsa vendimi kaloi në Gjykatën e Apelit dhe mori formë të prerë pas 5 vjetësh e gjysmë procesi gjyqësor. Për shkak të rritjes së dënimeve, disa nga të dënuarit mund të kërkojnë mjet juridik edhe para Gjykatës së Lartë.
Pas zjarrit në Koçan, tragjedia në Laskarcë është përmendur gjatë përpjekjeve për të formuar një komision hetimor në Kuvend për tragjeditë që në Maqedoni kanë marrë dhjetëra jetë në aksidente, zjarre dhe përmbytje.
Burmi: TV TELMA