Pasi gjykata ka dënuar me 40 orë shërbime publike poeten e njohur Mimoza Ahmeti, pasi kjo e fundit riparoi shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti ka reaguar edhe kryeministri Rama. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se Prokuroria vepron me zell ndaj këngëtarëve dhe poetëve, ndërsa dosjet për evazion fiskal me miliona dollarë “flenë” të patrazuara.
“Pas një këngëtari ja edhe një poete, që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara”, shkruan Rama.
Poetja e njohur dhe autorja e teksteve të disa këngëve, midis tyre edhe “Në mbretërinë e Xhuxhave”, Mimoza Ahmeti, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës u dënua nga gjykata për ndërtim të paligjshëm.
Poetja e njohur Mimoza Ahmeti u detyrua të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës për të dëgjuar edhe njëherë rezultatet e hetimit nga prokurori që e kishte përballë.
Gruaja e vargjeve të njohura dhe e këngës kujtoi edhe njëherë se shtëpia që kishte në Petrelë iu dëmtua nga tërmeti dhe se në këto kushte ajo u detyrua të ndërtonte një banesë të re.