Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit nga VLEN Izet Mexhitit për Gjykatën Kushtetuese dhe gjuhën shqipe.
Nga BDI thonë se deklarata e tillë ishte skandaloze dhe një dëshmi se kjo qeverisje ka humbur busullën dhe po bën politikë të dobët.
Siç thuhet në reagimin e BDI-së, historia do të jetë dëshmi e këtyre tradhëtive.
Reagimi i plotë:
Deklaratat kontradiktore të Izet Mexhitit, përfaqësuesit të zgjedhur të shqiptarëve nga VMRO-DPMNE, janë pasqyrimi më i qartë i një politike që ka humbur çdo busull morale dhe ideologjike. Nga mohimi i statusit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, deri te pranimi se Ligji për Gjuhët është kyç për marrëdhëniet ndëretnike, dhe më pas akuzat ndaj BDI-së për mosrregullimin e gjuhës – kjo kakofoni deklaratash nuk është gjë tjetër veçse reflektim i një politike të dobët, të ndikuar dhe të shitur për një karrige pushteti.Situata bëhet edhe më skandaloze kur Mexhiti bën thirrje që Gjykata Kushtetuese të veprojë politikisht dhe jo juridikisht. Kjo qasje e papërgjegjshme është një përpjekje e hapur për ta kthyer një institucion të drejtësisë në një instrument të ekzekutimit politik. Një deklaratë e tillë, skandaloze dhe e paditur, është një pasqyrë e qartë e nivelit të përfaqësimit që VMRO-DPMNE ka zgjedhur për shqiptarët. Gjykatat duhet të jenë mbrojtëse të drejtësisë dhe barazisë, jo vegla në duart e atyre që duan të ndajnë dhe përçajnë qytetarët.Problemi i vërtetë nuk është vetëm në kontradiktat e tij, por në mesazhin e rrezikshëm që dërgon te ata që kërkojnë të minojnë statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Një përfaqësues që ka braktisur idealin kombëtar për interes personal nuk mund të mbrojë as gjuhën, as barazinë, as të drejtat që janë fituar me sakrifica të mëdha. Përkundrazi, këto mesazhe konfuze dhe të paqëndrueshme vetëm sa i inkurajojnë ata që kanë për qëllim të dëmtojnë pozitat e shqiptarëve dhe të prishin balancën ndëretnike në vend.Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje për maturi dhe reflektim. Shqiptarët nuk duhet të bien pre e një politike që tradhton interesin e përbashkët dhe që punon kundër tyre. Historia do të jetë dëshmitare e tradhtive të tilla, por populli është ai që do të vendosë shumë shpejt për fatin e këtyre individëve që e kanë kthyer politikën në një karikaturë të dhimbshme.Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së gjuhës shqipe, barazisë dhe Marrëveshjes së Ohrit, si shtylla themelore të paqes dhe stabilitetit në vend. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë një përfaqësim të ndershëm dhe dinjitoz, jo një lojë politike që dëmton arritjet tona kolektive dhe të ardhmen tonë të përbashkët. /tvklan.mk
Burimi: TV KLAN