Partia Demokratike e Kosovës e quan të papranueshme diskriminimin që Qeveria Kurti po ua bën veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ditë më parë, në vendimin për ta bërë pagën minimale në 250 euro, Qeveria Kurti i ka përjashtuar tërësisht veteranët.
“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të vazhdojnë të mbesin të diskriminuar, të përbuzur dhe të ofenduar. Përbuzja dhe ofendimi bëhen edhe më të rënda kur vijnë nga ata që drejtojnë institucionet kryesore të shtetit, të cilat kanë obligime ligjore dhe morale ndaj tyre. Të gjithë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, por jo edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk e braktisën kurrë Kosovën as në kohën më të rëndë të saj.”, ka thënë Betim Gjoshi, sekretar për organizim dhe zgjedhje i PDK-së.
Sipas Gjoshit, veteranët e UÇK-së po braktisen nga kjo Qeveri, e cila qysh në fillimet e saj ka treguar hapur se nuk e pranon dhe nuk e njeh rëndësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Para disa ditësh, Qeveria Kurti ka vendosur që paga minimale të jetë 250 euro. Përveç se kjo vlerë nuk është në përputhje me shtrenjtimin enorm të jetës së qytetarëve, ajo edhe i përjashton krejtësisht veteranët. Është edhe fakt i diskriminimit të një kategorie që respektohet në çdo vend të botës, por jo edhe në Kosovën e Qeverisë Kurti 2. “, ka shtuar Gjoshi.
Sekretari i PDK-së për organizim dhe zgjedhje i ka bërë thirrje Kryeministri Albin Kurtit dhe Ministrit të tij të Financave, Hekuran Murati, që të mos e lexojnë vetëm një nen të ligjit të ndryshuar për veteranët e UÇK-së, me të cilin është fshirë neni 18 i ligjit paraprak që e përcakton pagën e veteranit të UÇK-së jo më pak se paga minimale.
“Kurti dhe Murati nuk duhet ta lexojnë vetëm pjesën e ligjit që iu pëlqen atyre, por duhet ta lexojnë në tërësi ndryshimet e bëra në këtë ligj. E, sipas këtyre ndryshimeve, Qeveria duhet ta themelojë Komisionin për kategorizimin e veteranëve si dhe të nxjerrë aktet nënligjore për ta bërë këtë. Por, asnjë nga këto punë nuk i ka bërë kjo Qeveri dhe nuk po i merr parasysh as në procesin e ndryshimit të bazës ligjore për pagën minimale.”, ka thënë Gjoshi.
Pikërisht, për këtë arsye, Partia Demokratike e Kosovës ka përpiluar disa propozime dhe hapa konkret që Qeveria duhet të marrë urgjentisht, për t’ua kthyer dinjitetin burrave dhe grave që ishin pjesë e UÇK-së.
“1. PDK-ja propozon që Qeveria duhet te vazhdoj të ju ndajë veteranëve pagë, së paku në lartësinë e pagës minimale, derisa të bëjë kategorizimin e tyre. 2. Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë Kurti që të nisë menjëherë pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së dhe kategorizimin e tyre. Ashtu siç kemi thënë shumë herë, me këtë hap jo vetëm që do të ndaloheshin përfitimet financiare për mashtruesit, por do t’i bënim nderë edhe historisë, duke larguar mashtruesit e falsifikatorët nga historia e UÇK-së, të cilës nuk i kanë takuar asnjëherë. 3. Partia Demokratike e Kosovës e fton Kryeministrin Albin Kurtin që të bëhet i pari që heq dorë nga të qenit veteran i rrejshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fjalët e vartëses së tij, si mund t’i thotë vetes veteran dikush i cili nuk e ka veshur asnjë minutë uniformën e UÇK-së?! Prandaj, Kryeministri Kurti duhet t’i jap fund mashtrimit të tij se ka qenë pjesë e një historie pa i takuar kurrë asaj.”, ka thënë Gjoshi.
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se procesi i pastrimit të listave, që të jetë i drejtë, duhet të nisë pikërisht nga Kryeministrit Albin Kurti. Nëse ai heq dorë vullnetarisht nga të qenit veteran i rrejshëm i UÇK-së, shembullin e tij mund ta ndjekin edhe të tjerët që nuk e meritojnë këtë status.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenaria jonë kombëtare e historike. E kemi për detyrë secili që ta mbrojmë dhe lartësojmë emrin e saj.”, ka përfunduar Gjoshi.