5
Shkup, 12 dhjetor – Kryetari i BNJVL-së dhe kryetar i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski nuk ka informacion preciz nëse Qeveria planifikon t’ia ndërmerr ingerencat Qytetit të Shkupit për Ndërmarrjen Qarkulluese Publike (NQP) Shkup.
“E di që këtë e ka deklaruar kryeministri. E di që ata po mendojnë seriozisht për atë temë sepse ajo i prek të gjithë shkupjanët dhe nuk është e vetmja çështje që po shkakton kalvar për shkupjanët. Kemi problem me Higjienën komunale, me mosfunksionimin e Parqeve dhe gjelbërimin dhe fatkeqësisht për herë të parë në histori me mosfunksionimin e Ujësjellësit dhe kanalizimin”, theksoi Gjorgjievski në përgjigje të pyetjes së një gazetari para fillimit të Samblesë së përgjithshme të BNJVL-së.
Një gjë e tillë, siç tha ai, nuk ka ndodhur asnjëherë në 30 vitet e fundit në vend.
“Si Këshill drejtues i BNJVL-së deri në fund të këtij viti do të kemi takim me Qeverinë dhe kryetarin e Qeverisë dhe besoj se edhe këtë çështje do ta hapim, do të diskutojmë për këtë, por informata më të detajuara lidhur me këtë nuk kam”, tha Gjorgjievski.
I pyetur nëse problemet me miratimin e Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2025 mund të shkaktojnë bllokadë edhe të komunave tjera në qytet, ai tha se kjo çështje do të shqyrtohet në Asamblenë e përgjithshme të sotme të BNJVL-së.
“Arsovska, në parim, nga momenti kur është ndërruar nga posti i kryetares së BNJVL-së, shumë rrallë, në mos të themi, asnjëherë nuk merr pjesë në punën dhe funksionimin e BNJVL-së dhe ky është vendim i saj. Por sot është prezent kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit Trajko Sllaveski dhe sigurisht do të flasim për këtë. Do të kërkoj nga Sllaveski që të elaborojë situatën dhe pasi t’i marrim të gjitha informatat përkatëse do të jeni të informuar për këtë”, tha Gjorgjievski.
BURIMI: zhurnal.mk