Stadiumi i ri i Kukësit është gati të presë verilindorët në sfidën e tyre me Laçin këtë fundjavë. Në një konferencë për shtyp, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i bëri thirrje të gjithëve tifozëve, por jo vetëm, që të vijnë në inaugurimin e stadiumit, pasi do të jetë një ditë feste për qytetin.
“Besoj se ky stadium është trofeu më i madh në Kukës. Falë meritës që ka pasur Kukësi është edhe ky stadium. Ka sjellë trofeun më të rëndësishëm, titullin kampion në Kukës, që ishte utopi për shumë tifozë. Kemi dal dhe disa herë nënkampion. Kemi fituar edhe Kupën edhe Super Kupën. Besoj se me investimet që do të bëj klubi, do të bëhet një ekip solid, edhe pse kampionati shqiptar është forcuar shumë. Konkurrenca është shumë e madhe, por besoj se Kukësi do ia dalë që vitin tjetër të marrim titullin e dytë kampion.
Unë besoj se tashmë me aeroportin dhe me stadiumin e ri, me të gjitha ndeshjet kampionat “Champions League”, “Europa League” t’i bëjmë në Kukës. Në shtëpinë tonë. Imagjinoni se sa tifozë dhe sa njerëz do të ketë. Të gjithë tifozët që janë në Londër kërkojnë me padurim inaugurimin e stadiumit. Imagjinoni se sa tifozë do të ketë, nga gjithë Shqipëria dhe nga jashtë Shqipërisë. Duam që ta shohim këtë zhvillim afatgjatë që të krijojmë dhe kushte.
Kryeministri Rama do të jetë në inaugurim, sepse ai është organizatori i këtij projekti. Kemi dhe kërkesa të tjera, sepse siç e dini dhe ju mbi 47 vite nuk ka pasur investime madhore në qytetin e Kukësit. Kryeministri patjetër prezent. Edhe presidenti do të jetë, sepse qeveria dhe Federata kanë bërë të mundur që të ngrihet ky stadium. Unë dua t’i falënderojë të gjithë që e kanë bërë të mundur këtë punë.
Uroj që Kukësi ta fillojë me këmbë të mbarë në këtë stadium. E falënderoj jashtë mase Kryeministrin Rama dhe Qeverinë Rama për këtë investim që ka bërë. Shpresoj të ruajmë vendin e tretë, pse jo edhe vendin e dytë. Gjithsesi duhet të vlerësojmë ndeshjet. Ndeshja e radhës me Laçin mendoj se duhet ta fitojmë, që të tregojmë se Kukësi e meriton Europën.
Nuk jam i kënaqur me ndërhyrjet që u bënë në janar, sepse nuk dhanë atë që duhet të jepnin. Trajneri Longo është trajner punëtor. Por në futboll ndodhin edhe gjëra që janë të paparashikueshme. Unë besoj se Pero është marrë me merkaton dhe përgjegjësia nuk bie mbi të. Unë besoj tashme se çfarë do që ka ndodhur duhet pasur një objektiv. Ne ishim futur me objektiv titullin kampion edhe Kupën. Tani objektiv kemi Konferencën. Unë besoj se i kemi mundësi që ta realizojmë.
Ne do të bëjmë dhe dy fusha të tjera. Kemi marrëveshjen me federatën edhe për dy fusha të tjera. Kukësi nuk është i plotë pa akademinë. Ajo do të jetë furnizuesja kryesore me sa më shumë talente. Akademia do të krijojë kushte për të gjithë ata që duan të ndjekin rrugën e sportit.
Gjithë zona këtu, jo vetëm Kukësi, të sjellin sa më shumë talent. Edhe ekipi i vajzave do të jetë pjesë e ekipeve zinxhirë të Kukësit
Kjo ditë nuk është ditë që të vish dhe të shash. E di që disa nuk e mbajnë brenda. Por besoj që këtë dit ta kalojmë me festë, nuk është ditë për të folur për politik. Të gjithë ata që do të dalin nga kjo do të vëzhgohen nga kamerat. Stoli nuk preket nuk thyet. Me Laçin mund të lejohet ndonjë fjalë, por ne e kemi ditë feste dhe duhet të tregojmë qytetarinë kuksiane. Duhet ta tregojmë edhe kësaj radhe veten. Ne nuk kemi tifozë kuksianë vetëm, në Kukës, por në të gjithë Shqipërinë edhe në vende të tjera. Është një stadium për ne, për fëmijët tanë edhe për fëmijët e fëmijëve. Ky investim është gjynah të prishet. Po ta mirëmbajmë do të ruhet. 10 veta janë nga Bashkia që do të merren vetëm me stadiumin.
Me datë 23 do ta inaugurojmë stadiumin. Mund të vijnë të gjithë, jo vetëm ata që e duan sportin. Dua që të jenë të rregullt në hyrjen në stadium. Çdo cep, çdo karrige vëzhgohet nga sistemi.
Ja ku jemi sot, nga bashkëpunimi i dy institucioneve, edhe pse kaluam pandemi, edhe pse kaluam tërmet. Për një muaj mbyllet dhe fusha e stërvitjes. Është me standarde. Ashtu siç është stadiumi Elbasanit, i Shkodrës, ashtu do të jetë dhe stadiumi i Kukësit. Unë besoj që do të vijnë edhe tifozë që nuk janë nga Kukësi, por edhe ata nga Kosova, miq nga bota e sportit, gazetarë sportiv”, ishin fjalët e Gjicit.