Gjermania kërkon nga Serbia të bëjë më shumë për të ulur tensionet me Kosovën

Gjermania e quajti tërheqjen e trupave të Serbisë nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm”, por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të ulur tensionet me fqinjin e tij, raporton Anadolu.

Duke folur për mediat në Berlin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane, Kathrin Deschauer, tha se situata në rajon është “mjaft shqetësuese” pas sulmit të një grupi të armatosur serb në veri të Kosovës më 24 shtator.

“Serbia e ka për obligim që pa mëdyshje të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna. Në përgjithësi, situata është sigurisht e tensionuar. Shenjat e para të reduktimit të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt shpërshkallëzimit. Megjithatë, ne duam të theksojmë sërish se tani duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm drejt shpërshkallëzimit”, tha ajo.

Sipas Deschauer, ministrja e Jashtme Annalena Baerbock planifikon të udhëtojë në Shqipëri këtë të enjte për bisedime me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Baerbock do të zhvillojë gjithashtu bisedime me homologun kosovar dhe atë serb në margjinat e takimit si pjesë e Procesi i Berlinit, i cili synon të promovojë afrimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Michael Stempfle, përsëriti se aktualisht nuk ka plane për të rritur numrin e ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it, forcës paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

Aktualisht në Kosovë ndodhen 71 ushtarë gjermanë.





Story i mëparshëm

Mbërrin versioni zyrtar i Android 14 për telefonët Pixel

Story i radhës

Balluku dhe ambasadori gjerman nënshkruajnë marrëveshjen për programin e infrastrukturës

Të fundit nga