Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius përsëriti vendosmërinë e tij në çështjen për ristrukturimin e forcave të armatosura.
Në një fjalim lidhur me prezantimin e raportit 2022 të përgatitur lidhur me situatën e ushtrisë, Pistorius tha: “Nëse njerëzit janë të mirë, por rezultatet jo, atëherë janë strukturat dhe proceset që nuk janë të drejta dhe që duhet të ndryshohen. Jemi të vendosur për këtë çështje”.
Ai bëri të ditur se është e rëndësishme që të mos krijohet burokraci shtesë në modernizimin e ushtrisë. Pistorius tha se që kur ka ardhur në detyrë ka parë se me cilindo që ka biseduar për ristrukturimin, kanë të njëjtin mendim se “duhet të bëjmë më të mirën kur shohim vështirësitë me të cilat përballemi”.
Duke folur për 4 temat kryesore të ristrukturimit të ushtrisë, Pistorius tha: “E para prej këtyre ishte ndihma për Ukrainën kur u sulmua nga Rusia dhe furnizimi në mënyrë të shpejtë i armëve që u premtuan për t’u dorëzuar. E dyta është se kemi nevojë për një Bundeswehr që ka aftësinë për gatishmëri veprimi, e fortë dhe rezistente në luftë” transmeton Anadolu Agency.
“Së treti Gjermania duhet të jetë dominuese për politikën e saj të sigurisë, kërcënimet, aleancat, parandalimin dhe sigurinë e saj në tërësi”, shtoi Pistorius i cili shpjegoi se e katërta është se ka nevojë për një buxhet mbrojtjeje më të lartë përtej fondit special prej 100 miliardësh dhe se mbrojtja është e shtrenjtë dhe se pas kësaj do të bëhet edhe më e shtrenjtë.
Ministri gjerman vuri në dukje edhe çështjen aktuale të ekstremit të djathtë në ushtrinë gjermane.
“Fatkeqësisht këto raste ekzistojnë, por dua të them se shumica e trupave janë të lidhur ngushtë me kushtetutën, janë të trajnuar mirë dhe e dinë se çfarë vlerash përfaqësojnë dhe çfarë duan të kundërshtojnë dhe të mbrojnë në Gjermani dhe në botë. Me ligjin ushtarak që do të dalë së shpejti, ne do të rregullojmë kushtet e nevojshme për largimin në mënyrë të shpejtë të atyre që punojnë kundër kushtetutës tonë dhe që refuzojnë atë“, tha Pistorius.
Burimi: GAZETA.MK