Qeveria social liberale e Gjermanisë po bën përpara me planet për të lehtësuar rregullat për marrjen e shtetësisë, një përpjekje që po kundërshtohet nga opozita konservatore.
Kancelari OIaf Scholz tha në një video-mesazh të shpërndarë të shtunën se Gjermania është shndërruar prej kohësh në vendin e shpresës për shumë njerëz dhe është një gjë e mirë, kur ata që kanë hedhur rrënjë në këtë vend, vendosin të marrin nënshtetësinë.
“Gjermania ka nevojë për rregulla më të mira për marrjen e shtetësisë nga të gjithë këta gra e burra të shkëlqyer“, tha zoti Scholz.
Rishikimi i rregullave të shtetësisë është një prej një serie reformash modernizuese që koalicioni tre-partiak i përbërë nga socialdemokratët e qendrës së majtë të zotit Scholz, të gjelbrit ambientalistë dhe demokratët e lirë pro-biznesit, ra dakord të trajtojë kur mori detyrën dhjetorin e kaluar. Ministria e Brendshme tha të premten se projektligji është pothuajse gati.
Sipas rregullave të reja një person do të gëzojë të drejtën për të marrë shtetësinë gjermane pas pesë vjetësh, ose tre në rast të atyre që cilësohen si “arritje të veçanta të integrimit”. Aktualisht për marrjen e shtetësisë duhen 8 vjet e në disa raste 6. Fëmijët e lindur në Gjermani do të bëhen automatikisht shtetas nëse njëri nga prindërit ka qenë banor i ligjshëm për pesë vjet.
Qeveria po kërkon gjithashtu të heqë kufizimet për mbajtjen e shtetësisë së dyfishtë. Aktualisht shumica e personave nga vende të tjera, përveç atyre që janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës, duhet të heqin dorë nga shtetësia e tyre e mëparshme, kur të marrin shtetësinë gjermane, me vetëm disa përjashtime./VOA
Burimi: GAZETA.MK