Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin dënoi sulmet ajrore ruse kundër infrastrukturës civile në Ukrainë.
Scholz i kërkoi Putinit që të gjejë një zgjidhje diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur gjatë bisedës këtë të premte, që zgjati një orë.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit deklaroi se i gjithë diskutimi iu kushtua luftës së agresionit rus kundër Ukrainës dhe pasojave të saj.
Kancelari theksoi vendosmërinë e Gjermanisë për të mbështetur Ukrainën në sigurimin e aftësisë së saj mbrojtëse kundër Rusisë.
Gjermania planifikon të furnizojë Ukrainën me shtatë tanke të tjera kundërajrore Gepard dhe një shtesë, 100,000 komplete të ndihmës së parë.
U diskutua gjithashtu për krizën globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe theksuan rolin e rëndësishëm të marrëveshjes së drithit, të zgjatur së fundmi nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.