Më 24 shkurt, bota u tmerrua kur pa raketat ruse të bombardonin Ukrainën. SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione gjithëpërfshirëse kundër qeverisë ruse dhe presidentit Vladimir Putin. Njerëzit fatlumë që jetonin në një vend që aktualisht nuk po pushtohej nga rusët, u angazhuan të ndihmonin me çfarëdolloj mënyre që mundeshin, qofshin donacione të sendeve jetike për refugjatët, akte bamirësie apo të merrnin pjesë në protestat kundër pushtimit.
Këtë të mërkurë mbushen 6 muaj nga ajo ditë e tmerrshme. Blitzkrieg (sulmi rrufe) ka mbaruar, duke i lënë vendin një lufte më të ngadaltë rrënuese në jug të Ukrainës. Edhe pse situata nuk është më pak e rëndë se në fillim, qeveritë demokratike mund ta kenë më të vështirë ta bindin popullin e tyre për këtë, teksa këta të fundit po përballen me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Tani është koha e duhur për të bërë një bilanc të numrit të viktimave të luftës dhe atë çka pritet të ndodhë më tej.
Kostoja e luftës mbi të pafajshmit është shumë e rëndë
Edhe pse muaji më tragjik i viktimave në civilë duket se është pas nesh, qindra civilë ukrainas humbasin ende jetën çdo muaj dhe shumë të tjerë po plagosen.
Miliona refugjatë janë shpërndarë nëpër Evropë
Para fillimit të luftës, u vlerësua se 1-5 milion refugjatë mund të largoheshin nga Ukraina. Ky parashikim rezultoi të ishte shumë konservator. Aktualisht janë rreth 6.7 milionë refugjatë ukrainas të regjistruar dhe shpërndarë nëpër Evropë, pa llogaritur ata që janë kthyer në shtëpi. UNHCR ka regjistruar rreth 11 milionë kalime kufitare nga Ukraina dhe 4.7 milionë rikthime në vend.
Po zbehet mbështetja globale për Ukrainën
Tmerret që po ndodhin brenda Ukrainës, e kanë bashkuar botën demokratike dhe publikun e saj. Në Britaninë e Madhe, ku jetoj edhe vetë, valëviten ende flamujt ukrainas si një lloj mbështetje morale. Qeveritë kanë dërguar miliarda dollarë në Ukrainë në ndihmë ushtarake, humanitare dhe financiare, si dhe kanë vendosur sanksione ndaj Putinit dhe përkrahësve të tij.
Por kjo nuk e ka ndalur gjakderdhjen dhe siç e theksojnë analistët, mbështetja e publikut do të zbehet sa më gjatë të zgjasë lufta, sidomos ndërsa vendet përballen me problemet e brendshme, siç është kostoja e lartë e jetesës. Në një sondazh në 10 vende evropiane të kryer në muajin maj, 42 për qind e të anketuarve thanë se qeveritë e tyre i kushtojnë shumë vëmendje Ukrainës dhe më pak problemeve të tyre.
Putin po e fiton luftën energjitike
Sigurisht, shumica e problemeve që ka sot Evropa, burojnë nga i njëjti armik si ai i Ukrainës: Vladimir Putin. Ndërsa po vazhdon bombardimin e Ukrainës, po e përdor me sukses si një armë energjinë ruse. Perspektiva nga tregjet energjitike është mjaft e zymtë. Javier Blas shkruan se pavarësisht parametrave që merren në analizë, fakt është se Putin po e fiton betejën energjitike. Rusia po fiton ende qindra miliona dollarë çdo ditë nga shitja e naftës për ta financuar pushtimin.
Kjo do të thotë se ajo ka mundësi të heqë dorë nga të ardhurat nga shitja e gazit, dhe të ushtrojë edhe më shumë presion mbi Berlinin, Parisin dhe Londrën, të cilat po përgatiten për rritje të madhe të çmimeve të energjisë dhe për mungesa të saj.
Çmimi standard i energjisë elektrike në Gjermani është rritur ndjeshëm gjatë 6 muajve të fundit në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, dhe po tregon pak shenja ngadalësimi. Gjermania ka bërë një punë të mirë për mbushjen e rezervave të saj të gazit, me objektiv nivelin 95 për qind deri në nëntor, që tanimë duket i arritshëm.
Por Julian Lee thotë se rreziku i një dimri të ftohtë, të shoqëruar me ndërprerje të energjisë elektrike mbetet shumë real për shumë njerëz në kontinent. Kjo për shkak se disponueshmëria fizike e energjisë është vetëm një pjesë e ekuacionit. Tjetra është çmimi, që po rritet gjithmonë e më shumë.
Kosova ka nisur tashmë ndërprerjen e energjisë, pasi kompanisë shpërndarëse i mbaruan paratë për të importuar energji nga Shqipëria. Gjatë 6 muajve të ardhshëm, ka të ngjarë që ne të shohim më shumë vende të ndjekin shembullin e saj. Mbretëria e Bashkuar po planifikon për ndërprerjen e energjisë në janar.
Zvicra është ende neutrale, dhe kjo është diçka pozitive
Qëndrimi i botës demokratike ndaj mizorive ruse, ngre një pyetje të vështirë për një vend të caktuar: Zvicrën. Neutraliteti ka qenë pjesë e identitetit kombëtar zviceran prej shekujsh. Por
a mund të vazhdojë realisht të qëndrojë ajo neutrale, dhe të pretendojë se bart vlera demokratike dhe humanitare përballë këtij pushtimi? Andreas Kluth thotë se po. Në fund të fundit do të duhet të ndërmjetësohet arritja e paqes, dhe për këtë është thelbësor një mjedis vërtet neutral. Liqeni i Gjenevës është aktualisht opsioni më i mirë që kemi për bisedimet e këtij lloji.
Gjashtë muajt e ardhshëm do të ndryshojnë shumë nga gjashtë muajt e parë
Atëherë, çfarë pritet të ndodhë më pas? Sa i përket luftës, Hal Brands shkroi në fillim të muajit se lufta po hyn tani në një fazë të tretë dhe vendimtare. Faza e parë ishte sulmi i dështuar i Rusisë. E dyta sulmi i Moskës për të pushtuar të gjithë zonën e Donbasit.
Faza e tretë ka të bëjë me kundërofensivën e ukrainasve në jug. Nëse ata do të munden të rimarrin një territor të gjerë, koha do të jetë në anën e tyre. Kjo betejë ka të bëjë sa me psikologjinë, aq sa edhe me taktikat. Ndërkohë, prej gjysmë viti Putin ka qenë kaq shumë i fokusuar në ri-shpikjen e së kaluarës dhe mbijetesës së tij aktuale, sa që ka harruar të ardhmen.
Deri më sot, ai ka arritur të ruajë një lloj mbështetje publike. Dhe kjo kryesisht sepse rusët nuk presin të paguajnë një kosto për këtë luftë. Por është e pashmangshme që realiteti në fund të nisë të “kafshojë”. Vendi përballet me një të ardhme të produkteve me cilësi të dobët dhe me standarde sigurie të ulëta, me investime të huaja direkte të pakta, dhe me rënie të të ardhurave reale.
Për shembull McDonald’s, është zëvendësuar nga Vkusno i Tochka, por ka mungesë të patateve. Situata aktualisht nuk është ndryshe nga fundi i Bashkimit Sovjetik. Është e sigurt të thuhet se 6 muajt e fundit kanë ndryshuar shumë jetë njerëzish por edhe vetë rendin botëror. E vetmja gjë që mund të parashikohet me siguri, është se 6 muajt e ardhshëm kërcënojnë të bëjnë të njëjtën gjë. /abcnews.al