Shefi i Delegacionit të BE-së Dejvid Gееr thotë se është i shqetësuar nga rritja polarizimit politik, veçanërisht në Kuvend, dhe u bën thirrje “grupeve të ndryshme politike të ulen dhe të thonë – po, nuk pajtohemi për shumë gjëra, por jemi dakord për interesat shtetërore, po jemi dakord për agjendën e BE-së dhe për këtë duam të ecim përpara”.
“Kjo do të thotë se do të ketë më pak përdorim të flamurit evropian që të shkurtohet debati, por edhe se zgjidhjet ligjore nuk do të bllokohen vetëm sepse mund të bllokohen”, thotë Dejvid Giri në intervistën për “360 gradë”.
Ambasadori i BE-së në vend është inkurajuar nga dinamika e re në marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por thotë se nuk dëshiron të hyjë në “lojë datash” për atë kur do të ndodhte zhbllokimi i procesit inkuadrues të vendit.
“Këtë që e shohim muajve të fundit, nga janari e këndej, është një dinamikë e re në marrëdhëniet. Ka grupe të punës, intensifikim të kontakteve që është shumë inkurajues. Kjo është mirë, kjo është pozitive, dëshirojmë të vazhdojë, të ruhet “momenti” që këto çështje të tejkalohen dhe pastaj të hapen negociatat inkuadruese, sa është e mundur më shpejt”, thotë ambasadori.
Ai e lavdëroi udhëheqësinë e vendit për, siç thotë, qëndrimin e qartë dhe pa mëdyshje në solidaritetin e shprehur me Ukrainën dhe me popullin e saj, në këtë rast duke demonstruar jo vetëm përkushtim të udhëzimeve të BE-së dhe duke u vendosur në një linjë të njëjtë me sanksionet e BE-së, por edhe duke bërë një zgjedhje shumë të qartë morale. Thekson në këtë rast se ngjarjet në Ukrainë edhe një herë kanë treguar çfarë do të thotë perspektiva evropiane, e cila thotë, ofron shpresë më të mirë për të gjithë ne, për të ardhmen demokratike, për një të ardhme më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më prosperuese.
“Gjithsesim ka një ndjenjë urgjente për këtë, sepse shohim ngjarje dramatike në Ukrainë. Por, kjo urgjencë nuk mendoj se e ndryshon metodologjinë bazë që lidhet me procesin inkuadrues, ndërsa kjo është reforma. Vetë ritmi i reformave është për përgatitjen e këtij vendi dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se duhet të sigurohemi se ka sistem të sundimit të së drejtës, sistem i cili parandalon korrupsion, biznese të cilat kanë mundësi të garojnë në një treg të vetëm prej 450 milionë konsumatorë në tregun e punës me aftësi reale dhe pozicione të punës. Kjo do të thotë përgatitje për anëtarësim dhe prandaj nuk shoh shkurtim të procesit për zbatimin e reformave, sepse kjo nuk është në interes të askujt dhe duhet të sigurohemi se vendi është plotësisht i gatshëm për anëtarësim që të gjithë të munden plotësisht t’i gëzojnë përfitimet e anëtarësimit kur shteti të bëhet anëtare”, porosit ambasadori Gir.