Gazi, borxhet dhe marrëveshjet e vështira: Tre “fytyrat” e krizës evropiane

October 21, 2022
min lexim

Sapo përfundoi në Uashington takimi vjeshtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ku tradicionalisht morën pjesë bankierë qendrorë dhe të nivelit të dytë, Ministra të Financave, politikanë dhe akademikë. Aktiviteti u dominua nga një pesimizëm i madh, i përforcuar nga rishikimet me prirje në rënie të parashikimeve të FMN-së për rritjen e ekonomisë globale. 

Siç është diskutuar shpeshherë në media, FMN pret një rritje ekonomike negative për Italinë për vitin 2023 (-0.2 për qind), e cila është në kontrast me +0.7 për qind që parashikon qeveria në largim e Mario Draghi. Profesionistët e fushës e dinë se parashikimi i PBB-së përtej 2 tremujorëve është shumë i vështirë, dhe vlerësimet rishikohen vazhdimisht. 

Në një hapësirë kohore 1-vjeçare, shifrat varen mbi të gjitha nga një vlerësim cilësor i rrezikut. Dhe duhet të mendojmë për vlerësimin e këtij të fundit. Rreziku i parë është zgjatja e krizës energjetike, që nga ana tjetër lidhet me krizën gjeopolitike. Ideja për të shkuar drejt një normalizimi të afërt, po duket gjithnjë e më e pamundur. 

Për Evropën, një importuese e madhe, kjo përbën një goditje negative e cila do të rëndojë mbi aktivitetin ekonomik në vitet në vijim. Rreziku i dytë buron nga vazhdimësia e inflacionit përtej pritshmërive, gjë që i ka nxitur bankat qendrore të përshpejtojnë masat e politikave monetare shtërnguese. 

Masat monetare shtërnguese janë të sinkronizuara në nivel global (në fakt përfshijnë të gjitha vendet me përjashtim të Kinës dhe Turqisë), ndaj ka një ndikim të rëndë tek kushtet e financimit të kompanive dhe familjeve. 

Megjithëse inflacioni në Evropë është i nxitur kryesisht nga energjia, dhe është më pak i përgjithësuar se në Shtetet e Bashkuara, BQE nuk mund të devijojë shumë nga politika monetare e SHBA-së, pasi kjo do të çonte në një zhvlerësim të mëtejshëm të euros përkundrejt dollarit, me forcimin e mëtejshëm të shtytjes inflacioniste në eurozonë.

Ndaj, ajo që do të ndodhë vitin e ardhshëm varet nga mënyra se si do të evoluojë situata në tre fronte: energjia, inflacioni dhe kushtet e financimit. Nga ana tjetër, kjo e fundit do të varet nga aftësia e qeverive kombëtare dhe BE-së për të reaguar siç duhet. Por që të ndodhë kjo gjë, përgjigja do të duhet të udhëhiqet nga tre vetëdije.

Së pari, problemi i energjisë është në qendër të kësaj krize, dhe ai kërkon një përgjigje largpamës bazuar tek një strategji afatgjatë. Ky problem nuk do të zgjidhet deri në vitin 2023. 

Së dyti, politikat e shpenzimeve të financuara nga borxhi duhet të kalibrohen me kujdes, pasi ato mund të shtrëngojnë kushtet e financimit siç ndodhi në Britaninë e Madhe, dhe për këtë arsye të dëmtojmë çdo lloj hapësire për manovrim.

Së treti, është i nevojshëm një reagim në nivel evropian për arsye të ndryshme: për të arritur një efikasitet më të madh dhe kapacitet kontraktual për blerjen e lëndëve të para, racionimin dhe ruajtjen e tyre; ruajtjen e tregut të përbashkët dhe shmangien e konkurrencës ndërmjet vendeve; financimin e politikave që synojnë objektivat e përbashkëta, dhe në veçanti favorizimin e tranzicionit drejt burimeve të rinovueshme.

Veprimi në këtë bazë vështirësohet nga urgjenca që shtyn drejt zgjidhjeve që shpesh janë në kontrast me objektivat afatgjata dhe vështirësinë e dukshme për të gjetur një marrëveshje në Evropë për politikat e përbashkëta.

Për krizën aktuale, Italia shpenzoi 60 miliardë euro, më shumë se Franca dhe Gjermania. Ajo ishte në gjendje ta bënte këtë falë të dhënave mjaft pozitive të financave publike, të nxitura nga rritja ekonomike shumë e fortë gjatë viteve 2021- 2022. 

Por me ngadalësimin ekonomik dhe inflacionin që reflekton sot norma më të larta të interesit, hapësira për manovrim është reduktuar ndjeshëm. Kjo e vështirëson zbatimin e masave të reja të financuara nga borxhi. 

Prandaj ne duhet të angazhohemi fort për përdorimin efiçent të energjisë, dhe të pranojmë shkurtimet në konsumin e gazit, që në Itali nuk ka rënë në gjashtë muajt e parë të 2022. Masat që merren për emergjencën duhet të jetë në përputhje me objektivat afatgjata që synojnë dekurajimin e përdorimit të energjisë fosile. 

Nga ky këndvështrim, zgjidhja nuk është vendosja e një tavani mbi çmimin e gazit. Tani le të ndalemi tek negociatat evropiane. Çdo kryeqytet evropian e ka parasysh nevojën për të krijuar një strategji të përbashkët për të përballuar krizën, por është e vështirë të arrihet në një konsensus, sepse vendet e ndryshme kanë dobësi të ndryshme, dhe për rrjedhojë interesa të ndryshme. 

Për shembull, Gjermania ka një sistem produktiv me energji intensive si i yni, por nuk ka mundësi që të diversifikojë burimet e furnizimit. Nga këtu buron edhe hezitimi për të pranuar masat që mund të çojnë në një rënie të papritur të furnizimit me gaz. Negociatat duhet të zhvillohen duke pasur parasysh këtë vetëdije. 

Demonizimi i Gjermanisë që ka ndarë (nuk ka shpenzuar) 200 miliardë euro në një fond të posaçëm kushtuar të gjitha disbursimeve që lidhen me krizën energjetike për 2 vitet e ardhshme (dhe jo vetëm subvencione) nuk është shumë i dobishëm dhe as i drejtë. 

Është më e dobishme të përpiqemi të pajisemi me mjetet operative dhe ligjore për të operuar në treg si një agjent i vetëm. 

Madje, kërkesa për një fond financiar përmes borxhit të përbashkët sipas modelit të atij që u krijua për përballimin e pasojave të Covid-19, është më e preferuara për vendet me nivelin më të lartë të borxhit si Italia, por nuk duket e sigurt se do të plotësohet. 

Për t’i dhënë forcë projektit, ai duhet të motivohet si një mjet për të ndjekur objektivat strategjike në fushën e energjisë, kryesisht për tranzicionin drejt ekonomisë miqësore me mjedisin. Një fond i përbashkët i përdorur për të financuar politika të ndryshme kombëtare, dhe për të kundërshtuar njëra-tjetrën mund të jetë kundër–produktiv.

Ky negocim është një test për të kuptuar nëse Evropa do të jetë në gjendje të gjejë kompromisin e nevojshëm për të ecur drejt një politike reale të përbashkët energjetike, duke kryer reformat e nevojshme, dhe duke e forcuar angazhimin e saj ndaj objektivave të ekonomisë së gjelbër. 

Nëse do t’ia dalë, ky do të jetë një hap tjetër drejt një integrimit më të madh brenda unionit. Nëse dështon, Italia dhe çdo shtet tjetër i BE-së, do të pësojnë një humbje të konkurrencës dhe do të duhet të përballen me një cënueshmëri më të madhe ndaj sigurisë energjetike. Është një lojë që luhet sot, por që sheh nga e ardhmja, dhe rezultati i së cilës do të ketë pasoja për vendin tonë për dekadat e ardhshme.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Të përgatitemi për botën kaotike pas Putinit

Story i radhës

Arteta: Jam shumë i lumtur që Xhaka po e shijon përsëri karrierën te Arsenali

Të fundit nga

ShkoLartë