Emetimi i obligacioneve kombëtare do të ishte një test i mirë për tregun, për të shqyrtuar se si mendojnë qytetarët dhe investitorët, për ta bërë shtetin debitor në shtëpi, për të shqyrtuar se sa besim kanë qytetarët tek shteti, ndërsa besoj se do të ketë interes, thotë në një intervistë për MIA-n, drejtoresha e Bursës së Zagrebit, Ivana Gazhiq, e cila merr pjesë me 30 për qind në pronësinë e Bursës së Maqedonisë.
Gazhiq ndan përvojat pozitive në Kroaci me këtë instrument, duke vënë në dukje se më shumë se 43,000 njerëz, pra më shumë se një për qind e të gjithë popullsisë, kanë investuar në obligacionet kombëtare.
“Parashikimet ishin se interesi publik do të ishte rreth 500 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej një miliard euro ishte planifikuar për investitorët institucionalë. Ajo që ndodhi gjatë regjistrimit i habiti të gjithë. Gjegjësisht, vetëm qytetarët shënuan 1.35 miliardë euro, kurse fondet shënuan 500 milionë euro shtesë. Investitori më i ri është 19 vjeç, ndërsa më i madhi 99 vjeç”, shpjegon Gazhiq.
Në intervistë ajo referohet për punën e Bursës së Maqedonisë, gjendjen dhe potencialet për zhvillimin e tregut të kapitalit, si dhe reformat e ardhshme në tregun tonë për shkak të respektimit të direktivave evropiane. “Këto procese nuk janë të thjeshta dhe pa dhimbje, por janë të nevojshme që tregu të hyjë në klubin elitar të atyre që duan të ndjekin standardet më të larta të transparencës dhe efikasitetit dhe të fitojnë besimin e kompanive dhe investitorëve”, thotë Gazhiq
Intervistën po e transmetojmë të plotë:
Zonja Gazhiq, ju drejtoni Bursën e Zagrebit që është investitor strategjik në Bursën e Maqedonisë me 30 për qind pronësi. Si e vlerësoni këtë partneritet dhe këtë lidhje të deritanishme?
“Bursa e Maqedonisë dhe e Zagrebit kanë bashkëpunuar me sukses për shumë vite përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojës, dhe më intensivisht që nga viti 2014 kur u themelua kompania e përbashkët SEE LINK së bashku me Bursën Bullgare. Gjithashtu, dy bursat kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e edukimit dhe kompanitë maqedonase marrin pjesë rregullisht në konferencat investive të organizuara nga Bursa e Zagrebit në mënyrë të pavarur ose në bashkëpunim me Bursën e Lubjanës.
Me lidhjen e pronësisë ky bashkëpunim është thelluar më tej dhe dëshira dhe synimi ynë është që ta bëjmë edhe më intensiv. Lidhja e pjesëmarrësve të dy tregjeve të kapitalit përmes ngjarjeve si “Ditët e Tregut Maqedonas të Kapitalit” të mbajtur së fundmi, kur pjesëmarrësit përkatës nga tregu kroat erdhën në Shkup,respektivisht përfaqësues të shtëpive të ndërmjetësimit apo brokerimit, fondeve investuese dhe pensionale dhe institucioneve të infrastrukturës, është ende një hap në këtë drejtim.
Ju keni qenë prej disa kohësh anëtare e Bordeve Drejtues të bursës sonë. Si e vlerësoni gjendjen e tregut tonë të kapitalit në periudhën e fundit? Në çfarë mase është shfrytëzuar potenciali i Bursës nga sektori korporativ dhe ai shtetëror? Cilat janë sugjerimet tuaja për një zhvillim më dinamik të Bursës së Maqedonisë?
“Që në ditët e para të marrëdhënies sonë me Bursën e Maqedonisë, bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer. Bursa e Maqedonisë është një organizatë shumë mirë e organizuar dhe proaktive. Çdo bursë është një reflektim i ekonomisë. Prandaj, në të dyja vendet ne po luftojmë sfida të ngjashme – dhe këtë, do të thoja, me mjaft sukses. Bursa e Maqedonisë funksionon shumë mirë, në përputhje me standardet dhe ka mbështetjen e rregullatorit në përpjekjet për zhvillimin e mëtejmë të tregut. Ne ndjemë edhe profesionalizmin e rregullatorit tuaj përmes procesit të marrjes së miratimit për blerjen e një aksioni apo pjesëmarrje të kualifikuar, për të cilin ju jemi shumë mirënjohës. Ne besojmë se tregu maqedonas ka potencial, veçanërisht në aspektin e kursimeve të akumuluara, por ka edhe mundësi të mira për investime, por si në rastin e Kroacisë, një strategji gjithëpërfshirëse e zhvillimit kombëtar do t’i jepte këtij sektori një shtysë shtesë. Gjithashtu, privatizimi i shoqërive shtetërore nëpërmjet bursës jep gjithmonë shtysën e nevojshme për një hap edhe më të fortë zhvillimi. Shteti sigurisht që do të mund të shfrytëzonte më shumë mundësitë e tregut të kapitalit në të dy vendet.
Punën në Bordin e Drejtorëve të Bursës së Maqedonisë e konsideroj shumë profesionale, posaçërisht duke pasur parasysh se kam pasur mundësinë të jem ose jam ende anëtar i disa bordeve mbikëqyrëse. Për të lehtësuar pjesëmarrjen time në sesione, fillova të studioj edhe gjuhën maqedonase.
Së fundmi në Zagreb është nënshkruar një marrëveshje për listimin e të ashtuquajturve obligacione kombëtare të emetuara nga Republika e Kroacisë në bursën e Zagrebit. Çfarë do të thotë emetimi i këtij instrumenti dhe çfarë mundësish hap ai?
“Në Kroaci, emetimi i një obligacioni të tillë doli të ishte një veprim i shkëlqyer, shkaktoi interes të madh publik, dhe obligacioni ka një tregtim mjaft solid në bursë. Në Kroaci, më shumë se 43,000 njerëz, pra më shumë se një për qind e të gjithë popullsisë, investuan në obligacionet kombëtare. Parashikimet ishin se interesi publik do të ishte rreth 500 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej një miliard eurosh ishte planifikuar për investitorët institucionalë. Ajo që ndodhi gjatë regjistrimit i habiti të gjithë. Gjegjësisht, vetëm qytetarët shënuan 1.35 miliardë euro, kurse fondet shënuan 500 milionë euro shtesë. Investitori më i ri është 19 vjeç dhe më i madhi 99 vjeç. Qytetarët mund të regjistronin obligacionet përmes 6 bankave më të mëdha kroate, të cilat kanë mbi 500 degë, dhe ishte veçanërisht e rëndësishme që dy banka mundësonin regjistrimin përmes aplikacionit të tyre m-banking. Është gjithashtu një moment i rëndësishëm eduktiv sepse rreth 17 mijë persona hapën për herë të parë llogari investimi, pra u bënë pronarë të letrave me vlerë për herë të parë. Ndonëse norma e inflacionit në momentin e emetimit të obligacionit ishte më e lartë se interesi i kuponit prej 3.65 për qind, qytetarët e njohën interesin praktikisht zero të depozitave si një investim të mirë. Në atraktivitetin ka kontribuar edhe fakti që interesi i obligacioneve është i përjashtuar nga taksat. Këto obligacione sollën edhe një likuiditet të ri në bursë. Duke filluar nga dita e parë e tregtimit, e cila ishte më 10 mars 2023, deri më tani janë tregtuar gjithsej mbi 11 milionë euro.
Nga niveli total i depozitave prej 35 miliardë eurosh, një miliard euro janë transferuar në obligacione dhe presim që qytetarët të marrin në konsideratë edhe mundësi të tjera investimi në bursë pas maturimit të kësaj obligacioni. Me këtë qytetarëve iu dha një mundësi interesante për investim dhe u tregua se kur krijohen mundësi ka interes.
Një nga synimet e rëndësishme për shtetin në këtë çështje ishte, natyrisht, që rendimenti të mbetet me investitorët kroatë të cilët mund ta investojnë më tej ose ta shpenzojnë në vendin e tyre, ndërsa në të njëjtën kohë shteti ka një bazë të qëndrueshme investimi që mund të llogarisni. Në Kroaci tashmë është bërë e ditur se emisione të tilla do të vazhdojnë të dalin edhe në të ardhmen dhe ne po e presim me padurim.
A mendoni se një instrument I tillë financiar mund të emetohet në vendin 3one dhe çfarë do të thotë kjo për tregun 3one të aksioneve?
“Është e sigurt se një instrument i tillë mund të lëshohet edhe në Maqedoni, ndërsa në manifestimin “Ditët e tregut të kapitalit maqedonas” kemi dëgjuar njoftime të tilla edhe nga Ministria e Financave, të cilën absolutisht e mbështesim. Është e rëndësishme të thuhet se një numër i madh vendesh në rajon e kanë të njëjtin instrument dhe e kanë përdorur me sukses prej vitesh dhe shembulli kroat është një nxitje shtesë për vendet e tjera që ende nuk e kanë bërë këtë. Sigurisht, kjo do të ishte edhe një test i mirë për tregun, për të shqyrtuar se si mendojnë qytetarët dhe investitorët, për ta detyruar shtetin në shtëpi, për të shqyrtuar se sa besim kanë qytetarët tek shteti dhe besoj se sigurisht do të ketë interes. Këto janë hapa të mirë për të inkurajuar zhvillimin e mëtejshëm të tregut të kapitalit.
Si pasqyrohet lufta në Ukrainë, trazirat në tregjet financiare ndërkombëtare/sektori bankar, inflacioni dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për sjelljen dhe fokusin e investitorëve në periudhën e ardhshme, a do të ketë ndryshime në qasjen e tyre?
“E gjithë bota kaloi nëpër turbulenca të paprecedenta në vitet e fundit, tregjet nuk ishin përjashtim. Megjithatë, tregjet dhe pjesëmarrësit e tyre kanë rezultuar të jenë mjaft të fuqishëm dhe të rikuperohen relativisht shpejt. Mendoni përsëri në fillim të këtij viti – frika nga inflacioni dhe recesioni, dhe sot, disa muaj më vonë, një valë e përtërirë optimizmi dhe besimi në treg. Prandaj, është e qartë se menaxhimi aktiv i krizës dhe masat e shumta nga qeveritë dhe bankat qendrore prodhojnë shpejt rezultate dhe rivendosin besimin në treg.
Shteti duhet të rakordohet me rregullativën në fushën e letrave me vlerë me legjislacionin evropian, sa mund të zbatohen ato direktiva në një treg si i yni? Cilat janë rekomandimet tuaja në këtë drejtim dhe cilat janë përvojat e Kroacisë?
“Sektori financiar është gjithmonë lider i ndryshimeve dhe kështu ka qenë edhe në Kroaci. Legjislacioni ynë që rregullon tregun e kapitalit ishte në përputhje me ligjet e BE-së edhe përpara se Kroacia të fillonte negociatat e anëtarësimit. Këto procese nuk janë të thjeshta dhe pa dhimbje, por janë të nevojshme që tregu të hyjë në klubin elitar të atyre që duan të ndjekin standardet më të larta të transparencës dhe efikasitetit dhe të fitojnë besimin e kompanive dhe investitorëve.
Ndonjëherë këto rregullativa mund të duken jopraktike për tregjet e vogla, por rregullat e Evropës janë të qarta. Ajo që vlen për më të mëdhenjtë vlen edhe për më të voglin. Nga ana tjetër, rregullatorët në çdo vend, natyrisht, duhet të kujdesen që të përdorin në masën më të madhe të mundshme mundësitë e përjashtimeve të tregut vendor që disponojnë sipas direktivave. Transparenca dhe rregullat e paqarta në Evropë janë ato që investitorët kërkojnë sot dhe janë të gatshëm të shpërblejnë. Si një vend që është anëtar i Unionit për dhjetë vjet, tani edhe i Eurozonës dhe zonës Shengen, ne jemi të gatshëm t’i japim tregut maqedonas të kapitalit të gjithë mbështetjen e mundshme për zhvillimin e mëtejshëm të tij edhe në këtë fushë.