Dy prej liderëve të partive më të mëdha të opozitës, demokrati Sali Berisha dhe socialisti i moderuar Ilir Meta, ndodhen të dy në kushte arresti.
“Pa ta përballë në zgjedhjet e ardhshme, unë Edi Ramën e shoh më të rrezikuar,” tha të hënën gazetari Flogert Muça.
Z. Muça mori në analizë dy drejtuesit e lartë, deri para pak vitesh edhe në krye të organeve më të larta të shtetit, për të treguar se me historikun e tyre kanë ndrydhur apo kanë penguar hyrjen e faktorëve të rinj politikë.
Ai tha se me arrestimet e kërkuara nga SPAK-u, “opozitës po i bëhet një nder i madh”.
“Në qoftë se ka dy njerëz që e mbajnë bindshëm Edi Ramën në pushtet janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Problemi i madh që kanë këto dy parti është që këta dy lisa të mëdhenj ia kanë zënë diellin gjithë të tjerëve poshtë dhe nuk i lënë të rriten. Nëse këta të dy i heqim nga ekuacioni Edi Rama do të jetë përpara një skuadre të re. Do jenë Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Adriatik Lapaj, Endri Shabani, Arlind Qori, Agron Shehaj… Si derivat i luftës së SPAK-ut kundër korrupsionit hapet fusha dhe këtu Edi Rama ka një problem, se nuk ka luksin të ketë përballë ata që i tund dhe i shkund, por ka disa të rinj të cilëve nuk ka çfarë u thotë. Në momentin kur Edi Rama ka fushën e lirë dhe ka përballë vetëm këta të dy, Edi Rama fiton. Po t’i ikin armiqtë që ai projekton te populli, aty Rama ka një problem. Edi Ramën e shoh më të rrezikuar në zgjedhjet e ardhshme pa Metën dhe Berishën përballë, sesa me ta përballë. Me ta përballë e shoh përjetësisht në pushtet,” tha z. Muça.
Burimi: botasot.info