Gazetarët ukrainas falënderues ndaj Kosovës

March 3, 2022
min lexim

Organizatat evropiane të gazetarëve pritet të nisin procesin e identifikimit të gazetarëve në Ukrainë që mund të vijnë për t’u strehuar përkohësisht në Kosovë.

Qeveria e Kosovës më 1 mars është zotuar se do të jetë nikoqire e 20 gazetarëve nga Ukraina, nëse shprehin dëshirën të largohen nga vendi i tyre që po sulmohet nga Rusia që nga 24 shkurti.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës shënon edhe nisjen e procesit të përzgjedhjes së këtyre gazetarëve nga dy organizatat ndërkombëtare: Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ).

Përzgjedhja e gazetarëve që mund të punojnë dhe vendosen në Kosovë në një periudhë deri në gjashtë muaj, do të bëhet edhe me ndihmën e dy organizatave të gazetarëve në Ukrainë: Unioni Kombëtar i Gazetarëve në Ukrainë (NUJU) dhe Sindikata e Pavarur e Mediave të Ukrainës (IMTUU).

Sipas Unionit të Gazetarëve në Ukrainë, që është anëtare e EFJ-së, procesi i aplikimit ende nuk ka filluar. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ky union që ka 18,000 anëtarë ka thënë se “me shumë gjasë, ata do të bëjnë vetëm një përzgjedhje fillestare”, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga EFJ dhe ECPMF.

“Njerëzit e Ukrainës e vlerësojnë shumë mbështetjen tuaj (të Kosovës)”, tha Sergiy Tomilenko, kryetar i këtij unioni.

Ai shtoi se nuk ka statistika të sakta për lëvizjen e gazetarëve nga Ukraina.

“Gazetarët ukrainas janë shumë të guximshëm dhe patriotë. Shumica mbeten në rajonet e tyre. Aty ku është e mundur, ata vazhdojnë të punojnë. Disa u detyruan të zhvendoseshin në Ukrainën Perëndimore ( ku situata është më e qetë) ”, tha ai.

Ai, gjithashtu, shprehu falënderimin e tij ndaj Kosovës në Twitter më 1 mars.

 

Edhe Sindikata e Pavarur e Mediave të Ukrainës në një përgjigje për REL-in tha se është “sinqerisht mirënjohëse për këtë mundësi”, por gazetarët meshkuj nuk do ta shfrytëzojnë atë, pasi “nuk mund dhe nuk duan të largohen nga vendi me ligj”.

“Edhe gazetaret gra janë duke punuar tani”, thuhet në përgjigjen e IMTUU-së.

Ricardo Gutierrez, sekretar i Federatës Evropiane të Gazetarëve ka thënë për Radion Evropa e Lirë se po punojnë në kriteret, në bazë të së cilave do të bëhet përzgjedhja e gazetarëve ukrainas që do të vijnë në Kosovë.

Sipas tij, federata synon që gazetarët e interesuar të vijnë “sa më parë që të jetë e mundur”.

“Secili gazetar nga Ukraina do të ftohet për të aplikuar (për ardhje në Kosovë)”, tha ai.

Në anën tjetër, Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias tha se po punohet në krijimin e një protokolli që parasheh kriteret e seleksionimit të gazetarëve.

“Ky protokoll do të zhvillohet në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe organizatat lokale në Ukraine”, tha ajo.

Xhemajl Rexha, kryetar i bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se përveç mbështetjes së plotë të strehimit të gazetarëve ukrainas, ky asociacion është i gatshëm të ofrojë edhe hapësirë pune për ta.

“Do të kemi mundësi që deri katër gazetarë të shfrytëzojnë zyrat tona për të punuar nga aty”, tha ai.

Nisma për pranimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë filloi nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Media, Doarsa Kica.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, një shumë prej 150.000 eurove do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve mujore si ato të qirasë së zyrave ku gazetarët do të ushtrojnë aktivitetin e tyre profesional, akomodimit ku do të qëndrojnë, shpenzime tw tjera mujore dhe shpenzimeve të transportit dhe zhvendosjes, për një periudhë deri gjashtëmujore.

Sipas vendimit, përparësi do t’u jepen gazetareve gra.

Rikujtojmë se momentalisht, burrat nga mosha 18 deri në 60 vjeç nuk kanë të drejtë të largohen nga shteti (dhe kjo përfshin të gjitha profesionet).

Qeveria nuk ka dhënë detaje tjera lidhur me këtë proces duke thënë se është ende në fazë të hershme të planifikimit.

Vendimin për strehimin e gazetarëve e ka mirëpritur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“Duartrokasim mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe vendosmërinë e tyre për t’u siguruar që zërat e gazetarëve dhe shtypit të lirë të vazhdojnë të dëgjohen”, thuhet në një postim në Twitter më 2 mars.

Një pjesë e madhe e gazetarëve ukrainas kanë vazhduar raportimin nga terreni edhe pasi sulmet nga Rusia filluan një javë më parë.

Disa prej gazetarëve kanë qëndruar aktivë në rrjetet sociale duke dokumentuar gjendjen atje dhe vështirësitë e punës së tyre në aspektin e sigurisë.

Olga Rudenko, redaktore e Kyiv Independent më 25 shkurt kishte shpërndarë një fotografi në Twitter që e shfaq atë duke punuar nga një stacion treni që shërben si një strehë nga bombat. Në një postim tjetër të ditës së parë të luftës, 24 shkurt, ajo kishte përshkruar punën si “ekstremisht stresuese”.

Ukraina renditet e 97-ta nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Gazetarëve pa Kufij për vitin 2021, ndërsa Rusia renditet e 150-ta./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ushtria ukrainase rrëzon një aeroplan luftarak rus afër Kievit

Story i radhës

Raporti i DASH, Salianji: Vetëm Partia Demokratike mund të luftojë për të mirën e shqiptarëve

Të fundit nga

ShkoLartë