Kryetari i Alternativës Afrim Gashi ka njoftuar sot propozimin e partisë së tij që me ndryshimet e ardhshme kushtetuese, të përfshihet edhe një amendament kushtetues që mundëson përndjekjen e politikanëve të korruptuar dhe nuk lejon vjetërimin e veprave penale të korrupsionit nga njerëzit në politikë.
Gashi tha se Alternativa është e vendosur për krijimin e kornizës juridike që mundëson luftimin e korrupsionit në politikë, të cilin e quan kancer të shoqërisë.
“Qëllimi ynë është të krijojmë mekanizëm kushtetues që do t’i adresojë të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin ligjëdhënës, ekzekutiv dhe në pushtetin lokal, të cilët duke abuzuar me pushtetine tyre, në mënyrë të paligjshme janë pasuruar në mënyrë marramendëse. Nuk mund të tolerojmë edhe më që politika të jetë biznesi më profitabil në këtë shtet”, tha kreu i Alternativës, Afrim Gashi.
Teksti i amendamentit që propozohet nga Alternativa synon të plotësojë nenin 52 të Kushtetutës.
“Ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në rastet që kanë të bëjnë me vjetrimin e përgjegjësisë penale për abuzime nga persona te emëruar ose të zgjedhur gjatë zbatimit të autorizimeve publike, me çka u kanë shkaktuar dëm fondeve publike, mjeteve buxhetore në nivel qendror dhe lokal dhe me ato abuzime kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme” – kështu është formuluar propozim amendamenti nga Alternativa.
Gashi tha se prej sot do të hapin debat publik dhe diskutime më të gjera që të sigurojnë mbështetje politike për këtë nismë.
Përveç kësaj, kryetari i Alternativës përsëriti se partia e tij mbështetë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, siç e kërkon propozimi francez. Gjithashtu, Gashi tha se ndryshimi i formulimit kushtetues për gjuhën shqipe është i domosdoshëm, pasi formulimi “gjuha që flasin mbi 20%” nuk është i dinjitetshëm.