Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi sot e ka pritur në takim ambasadorin e sapoemëruar të Shqipërisë në vend, Denion Meidani.
Në takimin e sotëm në Kuvend, Gashi dhe Meidani i theksuan marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin e rëndësishëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë në më shumë fusha, duke u angazhuar për avancimin e tyre të mëtejshëm.
“Bashkëbiseduesit biseduan edhe për mundësinë e inicimit të marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, si kurorë e marrëdhënieve diplomatike tri dekadashe midis dy vendeve dhe si bazë për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”.
“U bisedua edhe për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, në kontekst të vizitës së fundit në Shkup të Kryetares së Dhomës Ligjvënëse të Shqipërisë. Në takim, u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, si dhe interesi i përbashkët i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për përshpejtimin e proceseve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
“Kryetari Gashi dhe ambasadori Meidani shkëmbyen mendime edhe për rëndësinë e Korridorit 8, në kontekst të nevojës për bashkëpunim më dinamik ekonomik dhe rritje të tregtisë dhe me qëllim të lidhjes më të madhe infrastrukturore dhe energjetike ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.