Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka përgëzuar sportistët e Kosovës për dy arritje madhore që po e afirmojnë vendin tonë në arenën ndërkombëtare të sportit.
Ai ka vlerësuar lart suksesin e pilotes Lisjeta Thaqi, e cila është renditur numër 1 në botë në kategorinë e femrave në paragllajd, duke e bërë Kosovën pjesë të elitës botërore të sportit ajror.
Po ashtu, ministri Gashani ka uruar boksieren Donjeta Sadiku për fitimin e medaljes së artë në turneun e 77-të ndërkombëtar të boksit “Strandja 2026”, të mbajtur në Sofje të Bullgarisë.
“Këto suksese janë dëshmi e qartë e talentit, përkushtimit dhe punës së palodhshme të sportistëve tanë, trajnerëve dhe federatave përkatëse. Ministria e Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm sportin dhe sportistët që e përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar ministri Gashani.
Burimi: botasot.info


