gara politike po ashpersohet a rrezikon aak te mos e kaloje pragun zgjedhor 6a19995207205

Gara politike po ashpërsohet, a rrezikon AAK të mos e kalojë pragun zgjedhor?

May 29, 2026
min lexim

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit po konsiderohet si një nga më të ashprat në vitet e fundit, me tensione të shtuara politike dhe përplasje të forta mes partive kryesore.

Sipas vlerësimeve politike, konkurrenca kryesore po zhvillohet mes VV-së, LDK-së dhe PDK-së, ndërsa partitë më të vogla po përballen me rënie të mbështetjes elektorale.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet AAK-së, për të cilën vlerësohet se mund ta ketë të vështirë kalimin e pragut zgjedhor në këto zgjedhje.

Analistët theksojnë se mungesa e kandidimit të Ramush Haradinajt për kryeministër dhe ndryshimet në lidership mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e partisë. Po ashtu, është vlerësuar se rrjetet sociale dhe retorika e ashpërsuar politike kanë zhvendosur fokusin e debatit publik nga programet politike te akuzat dhe kundërakuzat. Sipas tyre, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje do të jetë një faktor kyç që mund të përcaktojë fatin elektoral të partive më të vogla.

Burjani vlerëson se partitë më të vogla po humbin terren politik, ndërsa AAK-ja mund të përballet me vështirësi serioze për kalimin e pragut zgjedhor

Profesori Blerim Burjani për “Bota sot” ka deklaruar se gara politike në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e fortë mes tri partive kryesore, VV-së, LDK-së dhe PDK-së, derisa sipas tij, partitë e tjera po humbin gradualisht gjasat për mbështetje më të madhe elektorale.

Image

Blerim Burjani

“Gjasat po vijnë duke u zvogëluar. Konkurrenca e madhe është mes tri partive, VV-së, LDK-së dhe PDK-së, ndërsa për partitë tjera gjasat po humbin pothuajse plotësisht”, ka thënë Burjani.

Ai ka theksuar se situata politike mbetet serioze dhe zhvillimet e ardhshme mund të ndikojnë dukshëm në raportet mes partive politike.

“Tash duhet të shihet se si do të zhvillohet situata tutje, por puna është shumë serioze”, është shprehur ai.

Burjani ka folur edhe për pozitën e Aleancës, duke vlerësuar se kjo parti mund të përballet me probleme sa i përket kalimit të pragut zgjedhor.

“Pragu mund të jetë problematik për AAK-në. Mund të ndodhë që votat e AAK-së të shkojnë tek partitë tjera”, ka deklaruar Burjani.

Sipas tij, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë gabime strategjike në skenën politike.

“Ramushi ka bërë gabim të madh strategjik. Kur dihet se nuk ka AAK, por ka Ramush, sikurse në VV nuk ka VV, por ka Albin”, ka përfunduar Burjani.

“Tensionet politike, ngërçi institucional dhe polarizimi në rrjetet sociale kanë zhvendosur fokusin e fushatës nga programet politike te përplasjet verbale”

Ndërkaq, duke komentuar këtë ҫështje, politologu dhe analisti Fahredin Majkovci ka vlerësuar se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit po zhvillohet me një gjuhë dhe klimë më të ashpër se në proceset e kaluara zgjedhore në Kosovë.

Image

Fahredin Majkovci

Sipas tij, kjo situatë është rezultat i tensioneve politike dhe krizës së gjatë institucionale në vend.

“Mund të konkludojmë se fushata për zgjedhjet e 7 qershorit 2026 po zhvillohet me një ton më të ashpër se zakonisht. Kjo është pasojë e ngërçit të gjatë institucional, tensioneve politike dhe retorikës së ashpërsuar mes liderëve politikë”, ka deklaruar Majkovci.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka theksuar se ndikim të madh në këtë klimë kanë pasur edhe rrjetet sociale, të cilat sipas tij kanë rritur polarizimin politik dhe përplasjet mes mbështetësve të partive.

“Rrjetet sociale kanë ndikuar në rritjen e polarizimit dhe të përplasjeve verbale ndërmjet mbështetësve të partive, duke e zhvendosur vëmendjen nga programet politike te akuzat dhe kundërakuzat”, është shprehur ai.

Duke folur për Aleancën, Majkovci ka ngritur dilema nëse kjo parti do të arrijë ta kalojë pragun zgjedhor, sidomos në një situatë kur për herë të parë Ramush Haradinaj nuk është bartës i listës dhe kandidat për kryeministër.

“AAK historikisht e ka pasur bazën kryesore elektorale në Rrafshin e Dukagjinit, duke qenë se edhe lidershipi i saj është nga kjo zonë. Megjithëse ka pasur mbështetje edhe në pjesë të tjera të vendit, partia nuk ka arritur të ndërtojë struktura që të prodhojnë rezultate dukshëm më të larta në nivel nacional”, ka thënë Majkovci.

Ai ka rikujtuar se rezultati zgjedhor i AAK-së tradicionalisht është lëvizur rreth pragut prej 5 për qind.

“Nëse i referohemi historikut zgjedhor, AAK në zgjedhjet e para të vitit 2001 kishte fituar rreth 58 mijë vota, ndërsa në zgjedhjet e fundit të dhjetorit 2025 kishte marrë rreth 52 mijë vota. Kjo tregon një stabilitet relativ të elektoratit, por edhe mungesë të zgjerimit të ndjeshëm të bazës mbështetëse”, ka potencuar ai.

Sipas Majkovcit, zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test i rëndësishëm për të ardhmen politike të kësaj partie.

“Duke pasur parasysh se partia sapo ka hyrë në një fazë të re lidershipi, këto zgjedhje mund të konsiderohen një test i rëndësishëm për të ardhmen e saj politike”, ka deklaruar ai.

Në fund, ai ka theksuar se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje mund të ketë ndikim vendimtar në rezultatin e AAK-së.

“Dalja më e lartë ose më e ulët e qytetarëve në zgjedhje mund të ndikojë drejtpërdrejt në aftësinë e AAK-së për të ruajtur ose përmirësuar rezultatin e saj tradicional”, ka përfunduar Majkovci për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

sulmi rus ne rumani vjen reagimi i pare nga rusia jemi ne lufte pergatituni 6a1994c59059f
Lajmi i mëparshëm

Sulmi rus në Rumani, vjen reagimi i parë nga Rusia: Jemi në luftë, përgatituni

lamallari paralajmeron zero tolerance ndaj zjarrvenesve denimet deri ne 30 vite burg 6a1999d18ebd5
Lajmi i radhës

Lamallari paralajmëron “zero tolerancë” ndaj zjarrvënësve: Dënimet deri në 30 vite burg!

Të fundit nga

ShkoLartë