Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi sot seancën për zgjedhjen e kreut të ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) në Shqipëri.
Në fjalën e tij në nisje të seancës, kryetari i KLP-së, Alfred Balla tha se tri vjet më parë ky këshill ka zgjidhur kryetarin e parë të SPAK, mes 8 anëtarëve themelues të kësaj strukture.
“Sot jemi përsëri të kryejmë detyrën tonë kushtetuese për të zgjedhur një drejtues të ri me mandat 3 vjeçar. Mandati i kreut të SPAK, Arben Kraja mbaron me 18 dhjetor 2022 dhe e falënderoj për drejtimin dinjitoz”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar tre kandidatëve për kreun e SPAK, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili, Balla tha se “do të zgjedhim liderin që të çoje përpara detyrat e nisura dhe do të plotësojë pritshmëritë e shqiptarëve”.
Balla falënderoi prokurorët që janë bërë pjesë e kësaj gare, duke shtuar se “është privilegj që kemi tre kandidat si ju”.
“Vendimmarrja jonë për përzgjedhjen e njërit prej jush është e vështirë, pasi këshilli ka si sfidë që të zgjedhe liderin më të spikatur, menaxherin më të zot dhe prokurorin që do të dijë të çojë përpara detyra e nisura për të plotësuar më së miri pritshmëritë e shqiptarëve, por dhe detyrimet për arritjen e ëndrrës tonë kombëtare për të qenë pjesë integrale e Evropës së Bashkuar. Fitoftë më i miri ndërmjet jush”, përfundoi kreu i KLP-së.