Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2022”. Ky raport paraqet vlerësimin e shtatë të Institutit GAP mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë.
Vlerësimi bëhet duke u bazuar në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjeve të komunave në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente publike.
Në vitin 2022, transparenca buxhetore e komunave ishte në nivelin më të lartë që nga publikimi i parë i indeksit, me një mesatare prej 62.8 pikësh. Nga gjithsej 100 pikë të vlerësimit, 28 komuna (73.7%) kanë arritur të kenë më shumë se 50 pikë. Maksimumin e pikëve të indeksit prej 100 pikë për vitin 2022 e kanë arritur shtatë komuna: Drenasi, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci dhe Skënderaj.
Si rezultat i rritjes së numrit të dokumenteve buxhetore të publikuara, dëgjimeve buxhetore të mbajtura dhe përmirësimit të formatit të publikimit të dokumenteve, 25 komuna kanë shënuar progres në vlerësimin me pikë, katër komuna kanë shënuar regres, ndërsa komunat e tjera kanë pikë të njëjta sikur vitin e kaluar. Progresin më të madh me pikë në indeksin e vitit 2022 e kanë shënuar Komuna e Skënderajit (+42.5 pikë), Prizrenit (+32.5 pikë), Vushtrrisë (+31.5 pikë), Podujevës (+30 pikë) dhe e Klinës (+30 pikë). Ndërsa, regresin më të madh në renditje për vitin 2022 e ka shënuar Kaçaniku (-14 pozita), Obiliqi (-10 pozita), Graçanica (-10 pozita), Gjilani (-9 pozita) dhe Malisheva (-8 pozita).
“Gjatë vitit 2022, së bashku komunat kanë publikuar 258 dokumente buxhetore. Nga 38 komuna, vetëm 15 prej tyre i kanë publikuar të gjitha dokumentet buxhetore që obligohen t’i publikojnë sipas Udhëzimit administrativ të MAPL-së për transparencë buxhetore në komuna. Në anën tjetër, komunat kanë shënuar progres të madh në publikimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, ku gjithsej 22 komuna (dhjetë më shumë sesa vitin e kaluar) e kanë publikuar në ueb-faqet e tyre apo e kanë dërguar përmes kërkesës këtë dokument të rëndësishëm buxhetor”, thuhet në komunikatën e GAP-it.