Me qëllim të promovimit të Atletikës si sport bazë, sot kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu realizoi takim me përfaqësueset e “Federatës së Atletikës” Aleksandra Vojneska-Zikova, kryetare dhe Ana Krstevska, anëtare e Bordit drejtues.
Ganiu pas takimit ka informuar se me përfaqësuesit e kësaj federate kanë rënë dakord për ndërtimin e një segmenti për kërcim në largësi në një nga shkollat e Çairit gjë që do të ishte tejet e dobishme për kyçje sa më të madhe të fëmijëve në atletikë.
“Nga ana ime shpreha interesimin dhe në parim ram dakord për ndërtimin e një segmenti për kërcim në largësi në një nga shkollat e Komunës së Çairit, me çka do ta kishim rritur pjesëmarrjen e më të rinjve të komunës sonë në sportin e atletikës. Mora premtimin se Federata do të ndihmojë në të ardhmen në drejtim të organizimit teknik të garave, sikurse edhe me rekuizita shtesë për atletikë, por edhe se do të forcojmë bashkëpunim në drejtim të edukimit të trajnuesve“, ka sqaruar Ganiu.
Ai ka shtuar se mysafiret e kanë informuar gjithashtu se për Institucionin e tyre ky është fillim i veprimit në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve infrastrukturore për atletikë në më shumë komuna në territorin e qytetit të Shkupit dhe më gjerë, ndërsa Çairi është komuna e parë që i është përgjigjur një ftese të këtillë për bashkëpunim dhe se gjithë kjo është në drejtim të fillimit të projektit Atletika për fëmijë, si një ligë e veçantë që do të realizohet me garën e parë në muajin mars. “Në takimin e sotëm mysafiret gjithashtu i përkujtova se unë si kryetar komune në vazhdimësi e mbështesë sportin, federatat dhe sportistët dhe se çdo bashkëpunim në këtë drejtim është i mirë se ardhur“, ka thënë Ganiu.