Galaktika jonë, ‘Rruga e Qumështit’, mund të mos përplaset me Andromedën pas miliarda vjetësh, siç është besuar deri më tani.
Sipas një studimi të ri të publikuar në Nature Astronomy, ekziston një shans 50-50 që dy galaktikat mos të përplasen kurrë.
Rruga e Qumështit dhe Andromeda po lëvizin drejt njëra-tjetrës me një shpejtësi prej rreth 100 kilometrash në sekondë.
Deri tani, shkencëtarët kanë parashikuar një përplasje pas rreth 4.5 miliardë vitesh, një skenar që parashikonte krijimin e një galaktike të re dhe ndoshta tërheqjen e Diellit (bashkë me Tokën) drejt një vrime të zezë ose në hapësirën ndërgalaktike.
Por simulimet më të fundit, mbi 100,000 të tilla, të bazuara në të dhëna të reja nga teleskopët hapësinorë Hubble dhe Gaia, ofrojnë një skenar më të qetë.
“Një përplasje ballore brenda 5 miliardë viteve është jashtëzakonisht e pamundur”, tha Till Sawala, astrofizikan në Universitetin e Helsinkit dhe autori kryesor i studimit.
Sipas Sawalës, skenari më i mundshëm është që të dyja galaktikat të kalojnë pranë njëra-tjetrës, pa u përplasur menjëherë.
Në rreth gjysmën e simulimeve, forcat gravitacionale, veçanërisht ndikimi i materies së errët, mund t’i çojnë drejt një përplasjeje të vonuar, pas më shumë se 8 miliardë vitesh.
Deri atëherë, Dielli do të jetë shuar dhe Toka do të jetë e pabanueshme për shkak të rritjes së temperaturës.
Ka gjithashtu gjasa që Rruga e Qumështit dhe Andromeda të jenë në orbitë rreth njëra-tjetrës për miliona vite – një marrëdhënie kozmike që ende nuk është e qartë.
“Fati i galaktikës sonë mbetet i pasigurt,” përfundoi Sawala.
Por pse duhet të na interesojë fati i galaktikës sonë pas miliarda vitesh? “Ndoshta jemi emocionalisht të lidhur me vendin tonë në univers,” thotë Sawala.
“Unë do të preferoja që Rruga e Qumështit të mos përplasej me Andromedën, edhe nëse kjo nuk ndikon aspak në jetën time, apo të pasardhësve të mi.”
Burimi: botasot.info