Ashtu siç raportoi dje gazeta kombëtare “Bota sot”, se në Brezovicë po zihet diçka mes kreut të FVK-së dhe atij të FSHF-së, ashtu edhe ndodhi dhe u realizua një qëllim i madh i FVK-së!
Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci dhe ai i Shqipërisë, Erlind Pëllumbi kanë nënshkruar sot marrëveshjen e përbashkët, që erdhi falë raporteve shumë të mira në vazhdimësi mes këtyre dy institucioneve, që i mundëson tre volejbollistëve të ndryshojnë Kombëtaren përfaqësuese.
Nga ajo e Shqipërisë, kalojnë tek e Kosovës.
“Lajm i madh për volejbollin e Kosovës është angazhimi i volejbollistit Gazmend Husaj në fanellën e ‘Dardanëve’, i cili ka qenë një prej lojtarëve më të spikatur kosovarë jashtë kufijve ballkanik.
Husaj aktualisht luan për ekipin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Shabab Al Ahli.
Ai ka fituar shumë çmime prestigjioze ekipore dhe individuale duke luajtur në vende si Turqia, Katari dhe Zvicra, përfshirë çmimin si pritësi më i mirë në Ligën zvicerane më 2009/10 dhe shënuesi më i mirë në Ligën e Katarit më 2012/13.
Husaj i bashkohet Kombëtares së Kosovës me një bagazh të pasur profesional, teksa rrugën e tij e kanë ndjekur edhe dy volejbollistët tjerë, Adriatik Kajtazi dhe Bardhyl Hajdaraj, të cilët po ashtu kalojnë nga Kombëtarja e Shqipërisë tek ajo e Kosovës.
Kajtazi është aktualisht pjesë e Pejës por në të kaluarën ka luajtur në Katar dhe Shqipëri, po ashtu edhe në Maqedoni.
Në Kosovë është shpallur disa herë si lojtari më i mirë në vend, teksa ka dhënë kontribut të madh në Kombëtaren e Shqipërisë ndër vite.
Hajdaraj po ashtu është një emër i njohur në volejbollin kosovar. Ai ka luajtur për Studentin e Tiranës dhe disa ekipe kosovare duke fituar tituj kampioni dhe kupa të tjera, si dhe është shpallur disa herë lojtari më i mirë në Kosovë.
Kjo treshe kishte përfaqësuar Shqipërinë gjatë kohës kur volejbolli kosovar ende nuk ishte pranuar ndërkombëtarisht”, njofton FVK.