​Fushata kundër kancerit të gjirit do të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë

October 31, 2024
min lexim

Fushata për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit do të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë. Kështu është thënë në konferencën përmbyllëse të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe institucionet tjera me rastin e përfundimit të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku tha se lufta kundër kancerit të gjirit nuk përfundon me këtë fushatë. Gexha Bunjaku tha se kjo sëmundje është një sfidë që përballohet së bashku.

Derisa premtoi mbështetje dhe përmirësime të shërbimeve për të prekurit nga kjo sëmundje, Gexha Bunjaku tha se këto nuk janë vetëm premtime por obligim moral.

“Sot po e shënojmë përmbylljen e një fushate që përmbledhë përkushtimin dhe angazhimin e përbashkët të institucioneve tona, profesionistëve shëndetësor dhe të shoqërisë civile në luftën kundër kancerit të gjirit, një sfidë që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe vendime të guximshme politike për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e secilit qytetar…Lufta jonë kundër kancerit të gjirit nuk përfundon me këtë fushatë. Si institucione dhe si shoqëri ne jemi të përkushtuar për të vazhduar këtë betejë derisa çdo grua në grua në Kosovë të ketë qasje të plotë, cilësore dhe pa pengesa në kujdesin shëndetësor. Ky është jo vetëm premtim politik por edhe obligim moral ndaj çdo qytetari”, theksoi Gexha-Bunjaku.

Ushtruesja e detyrës në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ardita Baraku tha se fuqia e ndërgjegjësimit, përkushtimi për veprime dhe veprimet e bashkuara për përkrahje dhe solidaritet janë tri çështje thelbësore në luftën kundër kancerit të gjirit.

Ajo theksoi se të gjitha aktivitetet të cilat ndihmojnë në ndërgjegjësim për zbulim të hershëm shkojnë në favor të pacientëve të cilët po ballafaqohen me këtë sëmundje.

“Fuqia e ndërgjegjësimit, përkushtimi për veprime dhe veprimet e bashkuara për përkrahje dhe solidaritet. Sa i përket rëndësisë së ndërgjegjësimit ajo vjen edhe nga të dhënat që i kemi për kancerin e gjirit në Kosovë. Prej vitit 2019 deri në vitin 2023 ka pasur lëvizje variable, por së fundi janë numrat e rritur të rasteve të reja të raportuara të kancerit të gjirit…Aktivitet tona për ndërgjegjësim për kancerin e gjirit nuk përfundojnë sot, ato vazhdojnë çdo ditë. Të gjitha aktivitetet të cilat ndihmojnë në ndërgjegjësim për zbulim të hershëm, trajtim të hershëm, për një jetesë sa më të mirë, shkojnë në favor të pacientëve të cilët po ballafaqohen me këtë sëmundje”, tha Baraku.

Drejtoresha e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shkëndije Nuza tha se përmbyllja e kësaj fushate është moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit.

Ajo potencoi se qëllimi i kësaj fushate është informimi, edukimi dhe mobilizimi për ta kaluar këtë sfidë të prekurit nga kjo sëmundje malinje.

“Përmbyllja e fushatës kundër kancerit të gjirit është një moment shumë i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe mbështetje për të gjithë ata që preken nga kjo sëmundje. Kjo fushatë ka për qëllim të informojë, të edukojë dhe të mobilizojë komunitetin për të luftuar së bashku këtë sfidë…Në dhjetëvjeçarin e fundit kemi arritur të rrisim ndërgjegjësimin qoftë të stafit, qoftë të pacientëve lidhur me kancerin e gjirit”, potencoi Nuza.

Drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi tha se gjatë këtij viti rreth 24 për qind e kacereve në këtë klinikë janë të gjirit.

Ai potencoi se këtë vit ka rritje të lehtë të numrit të rasteve me këtë sëmundje malinje, për çka tha se mund ta kalojë shifrën e të prekurve krahasuar me vitin e kaluar.

“Kanceri i gjirit vazhdon të jetë kanceri dominant prej të gjitha llojeve të tumoreve. Numri total i rasteve që ne kemi regjistruar në këto nëntë muajt e parë është 1 mijë e 530 dhe del se mbi 24 për qind janë me kancer të gjirit…Sa i përket referimeve jashtë vendit, Klinika e Onkologjisë ka zero referime. Kanë qenë dy, në pediatri një rast për trajtim të një fëmije me rrezatim dhe një rast i dërguar nga neurokirurgjia. Kurse, referimet nga klinika jonë janë zero…Në të ardhmen jemi në procedurë të marrjes edhe një aparati të ri për rrezatim i cili veçse është kontraktuar nga SHSKUK-ja”, theksoi Kurtishi.

Ndërsa, drejtoresha e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi potencoi se në kuadër të rikonstruktimit të gjirit falas për gratë e prekura me kancer, janë kryer rreth 70 intervenime kirurgjike dhe 100 vizita specialistike.

Zatriqi theksoi se këto intervenime jo vetëm që ndihmojnë në rikthimin e integritetit fizik, por gjithashtu kontribuojnë në rifitimin e besimit dhe shpresës për gratë e operuara nga kanceri i gjirit.

“Këto intervenime jo vetëm që ndihmojnë në rikthimin e integritetit fizik, por gjithashtu kontribuojnë në rifitimin e besimit dhe shpresës për këto gra. Më lejoni të citoj një deklaratë të një paciente e cila më tha pas operimit ‘Pas largimi të njërit gji, nuk ndihesha vetja ime. Nuk ndihesha që jam unë, kisha bindjen që po më mungojnë shumë pjesë të trupit dhe tash pas rikonstruimit të gjirit nga ana e juaj, jam e plotësuar. Jam ajo që isha dikur’…Gjatë këtij muaji ne në Klinikën e Kirurgjisë Plastike kemi realizuar 70 intervenime kirurgjike dhe kemi ofruar më shumë se mbi 100 vizita specialistike të këtyre grave”, tha Zatriqi.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës tha se fushata ndaj kancerit të gjirit do të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë.

“Fushata do të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë, është shumë e rëndësishme. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka gruaja në shoqërinë kosovare, bëhet edhe më e rëndësishme”, potencoi Sadiku.

Ndërkaq, tetori është muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, sëmundje kjo që u merr jetën miliona grave kudo në botë.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kjo pajisje u gjet në veturën e Vehbi Kajtazit

Story i radhës

Cika, e Vetmja Artiste Shqiptare në Jurinë e Catania Beauty Awards

Të fundit nga

ShkoLartë