Furnizuesit gjermanë të automjeteve po përballen me një valë falimentimesh vitin e ardhshëm pasi shumë kompani mund të mos jenë më në gjendje të paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike, raportojnë mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në gjysmën e parë të vitit 2023 do të shohim shumë falimentime sepse kompanitë nuk mund të paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike”, tha Stefan Wolff, drejtor i furnizuesit të automjeteve “Elringklinger”, për revistën e automobilave “Automobilwoche”.
Ai tha se rritje kaq të mëdha të kostove nuk janë shënuar në 25 vitet e fundit dhe shtoi se përveç çmimeve të energjisë, po ashtu edhe çmimet e plastikës dhe çelikut janë rritur dukshëm.
Megjithëse furnizuesit e automjeteve po përpiqen të rikuperojnë kostot nga klientët e tyre si dhe nga prodhuesit e automjeteve, sipas Wolf, kjo nuk u tregua plotësisht e suksesshme.
“Kostot reflektohen drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, shtoi ai.
Ai u ankua edhe për kërkesat e sindikatës për rritje të pagave me 8 për qind.
Burimi: GAZETA.MK