Kalendari i garave në Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) vazhdon të jetë shumë i ngjeshur, me gara në disiplina të ndryshme, pothuaj në çdo fundjavë.
Me këtë ritëm do të jemi edhe në javët e ardhshme, ndërsa në radhë është gara e dytë e disiplinës Drag Race.
Në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë, fundjava do të jetë “e nxehtë”, jo vetëm nga temperaturat, por edhe rivaliteti e atraktiviteti në garë.
Disa nga garuesit, të cilët zakonisht arrijnë rezultate të mira, tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë edhe fituesi i garës së kaluar, Leutrim Isufi, pastaj rekordmeni dhe fituesi i shumëfishtë Skender Potera dhe garues tjerë tashmë të dëshmuar në këtë disiplinë.
Ndërkohë, klubi organizator, Eurogoma RT në bashkëpunim me FASK-un i kanë bërë përgatitjet e duhura dhe presin që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë.