Pavarësisht mungesës së trofeve, Belgjika për katër vite me radhë ishte kombëtarja numër një në ranglistën botërore të FIFA-s.
Futbollistët belg arritën që përgjatë viteve 2018, 2019, 2020 dhe 2021 ta mbanin kombëtaren e tyre në vendin e parë në botë, por që fatkeqësisht sukseset munguan, raporton KosovaPress.
Pritjet ishin të mëdha për Belgjikën, e cila në përbërje të skuadrës ka yje të shumtë si Eden Hazard, Romelu Lukaku, Kevin De Bruyne e Thibaut Courtois.
Këto pritje ishin edhe në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, por që Belgjika dështoi që të gëzojë tifozët e saj.
Belgjika e filloi këtë Botëror me fitore minimale 1:0 kundër Kanadasë, e cila u pasua nga një humbje e befasishme 2:0 nga Maroku. Ndërkaq, në ndeshjen e fundit, Belgjika barazoi pa gola me Kroacinë, rezultat ky që automatikisht shoi shpresat e belgëve për kualifikim dhe u eliminuan qysh në fazën e grupeve.
Shumica e lojtarëve belg që ishin në përbërje janë më në moshë, dhe për disa prej tyre ky Botëror ishte i fundit në karrierë.
Lojtarët si Toby Alderweireld, Jan Vertonghen, Thomas Meunier, Axel Witsel, Kevin De Bruyne e Dries Mertens, pritet që ta kenë luajtur Kampionatin Botëror të fundit në karrierë, gjë kjo që nënkupton për fundin e një epoke të artë te Kombëtarja e Belgjikës, epokë kjo e cila u karakterizua me vetëm vendin e parë përgjatë viteve 2018, 2019, 2020, dhe 2021 në ranglistën e FIFA-s.